Pas skandalit të kirurgëve në Vushtrri, kush duhet të japë përgjegjësi!
Për të kryer operacione, tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshohet se morën para nga pacientët, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sot Prokuroria Themelore në Mitrovicë bëri të ditur se ndaj njërit prej tyre është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, tjetri është liruar, ndërsa i treti ende nuk është intervistuar. Sipas gazetarit të shëndetësisë, për këtë skandal duhet të jap përgjegjësi Spitali i Vushtrrisë dhe SHSKUK.
Dje u arrestuan kirurgët Ekrem Sefiu dhe Arsim Latifaj nën dyshimin për “marrje rryshfeti”, derisa Isuf Zekaj është në kërkim, pasi i njëjti është jashtë vendit. Sot Prokuroria në Mitrovicë njoftoi se për Sefiun është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, ndërsa Latifaj është liruar dhe rasti ndaj tij do të vendoset në procedurë të rregullt.
“Për njërin person të ndaluar, me iniciale E.S., Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, dhe seanca pritet të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë. I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt, ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ende nuk është arrestuar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Për rastin e tre kirurgëve të hënën janë deklaruar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, ku thuhet se dje kanë pranuar njoftim zyrtar se tre kirurgë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion.
“Në lidhje me rastin e raportuar në medie për rastin e Spitalit të Vushtrrisë, Ministria e Shëndetësisë përmes Bordit të ShSKUK- së, sot pasdite ka pranuar njoftimin zyrtar nga Spitali i Vushtrrisë, “Shekih Zajed” së tre kirurgë tashmë një kohë janë duke u hetuar nën dyshimin për korrupsion. Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK janë në dispozicion të organeve të hetuesisë në mënyrë që procesi i hetimeve të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë, dhe njëkohësisht përmes mekanizmave brenda institucioneve ditëve në vijim do të ndërmarrim të gjitha masat e parapara ligjore”, thuhet në reagimin e MSH-së.
Ndërkaq, SHSKUK ka thënë se janë njoftuar për arrestimin e dy kirurgëve dhe suspendimin e të treve.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, është njoftuar nga menaxhmenti i Spitalit të Vushtrrisë, se gjatë ditës së sotme, janë arrestuar dy kirurgë të Spitalit të Vushtrrisë. Pas publikimit të lajmit në medie, ditën e djeshme, menaxhmenti i ShSKUK-së, ka kërkuar nga drejtoria e Spitalit të Vushtrrisë të ndërmarrë masat e nevojshme, konform legjislacionit në fuqi. Sipas njoftimit të Spitalit, njëri nga kirurgët është shkarkuar nga pozita u.d shefit të Repartit dhe është suspenduar nga puna, po ashtu, edhe dy kirurgë të tjerë janë suspenduar nga puna deri në një vendim të ri”.
(Kosova Sot Online)
