Qeveria ndan 24.6 milionë euro për këtë arsye

  • A.P /
  • 11 January 2023 - 17:49
Qeveria ndan 24.6 milionë euro për këtë arsye

Për përballje të ngritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike, Qeveria e Kosovës ka miratuar sot vendimin për ndarjen e 24.6 milionë eurove, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, këto para do të përdoren edhe për masën 3.7 të Ringjalljes Ekonomike.

“Vendimin për ndarjen e njëzet e katër milionë e gjashtëqind mijë eurove (24.6 milionë euro) për përballje të ngritjes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike dhe masës 3.7 të Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në njoftim.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji.


“Vendimin për Masat Emergjente në Furnizimin me Energji është miratuar për shkak të krizës energjetike botërore. Rritja rapide e çmimit të importit të energjisë dhe paralajmërimi i ndalimit të eksportit të lëndëve fosile nga disa shtete evropiane do të ndikojë në rritjen e mëtejshme të çmimit të importit. Duke marrë parasysh riparimet e planifikuara në termocentralet tona, bënë që disa prej kapaciteteve gjeneruese të jenë jashtë funksionit, andaj Qeveria e sheh të domosdoshme aprovimin e Masave të Emergjencës në Furnizim me Energji. Masat do të jenë në fuqi për 60 ditë nga data e hyrjes në fuqi, me mundësinë që Kuvendi i Republikës së Kosovës të zgjas afatin e tyre në periudha prej 30 ditësh, maksimalisht deri në 180 ditë shtesë”, thuhet në njoftim.


(Kosova Sot Online)