Tritoli ndaj banesës së shefit të krimeve në Shkodër, kamerat “skanojnë” autorin

  • E.K /
  • 13 January 2023 - 12:42
Tritoli ndaj banesës së shefit të krimeve në Shkodër, kamerat “skanojnë” autorin

Kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin që iu afrua banesës së shefit të krimeve në Shkodër Pllumb Shpati për të vendosur sasinë e tritolit rreth orës 03:50 në lagjen Dobraç.

Policia bën me dije se për pasojë banesa e Shpatit ka pësuar dëme të shumta. Brenda banesës jetonin 3 familje me 17 pjesëtarë në total. Si autorët, ashtu sikurse shkaqet për këtë ngjarje nuk dihen. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e saj.

“Rreth orës 03:50, në lagjen Dobraç, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, përpara banesës së shtetasit P. Sh., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Shkodër. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime të lehta në banesën e tij, si dhe është dëmtuar automjeti i tij. Grupi i posaçëm hetimor i ngritur për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nga veprimet e para hetimore, ka siguruar prova që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon puna për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje“, thuhet në njoftimin e policisë.

(Kosova Sot Online)