Albin Kurti rrëfen në Vjenë për 7-vjeçaren nga Kosova që iu gjet trupi në Danub

  • E.K /
  • 13 January 2023 - 15:09
Albin Kurti rrëfen në Vjenë për 7-vjeçaren nga Kosova që iu gjet trupi në Danub

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim gjatë vizitës së tij në Austri, përcjell "Kosova Sot Online".

Një pjesë të fjalimit të Kurtit e ka nxjerrur zyra e tij, ku e ka shpërrndarë në rrjete sociale.

Kurti në një pjesë të fjalimit të tij ka folur për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka rrëfyer një histori të peshkatarit serb që ka gjetur një kamion me trupa të të vrarëve.

Kurti i ka treguar të pranishmëve aty se si në kamion janë gjetur 86 tupa dhe tre koka.

Kurti po ashtu, i ka treguar se në mes të trupave është gjetur edhe një 7 vjeçare.

–Pjesë nga fjalimi i Kryeministrit Kurti në Akademinë Diplomatike të Vjenës

“Në Serbi, në lumin Danub, afër fshatit Tekija, një peshkatar vëren një objekt që noton mbi ujë. Është një copë kamioni. Thërret një zhytës dhe në fund të lumit gjejnë një kamion ngrirës të thertores. Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare. Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve.

Ajo u vra në Kosovë, u fut në kamionin ngrirës të thertores dhe u fundos në fund të lumit. Pasi e gjetën, së bashku me trupat e tjerë e ngarkuan në një kamion tjetër. Sot e kësaj dite nuk e dimë se ku i dërguan ata trupa. Ne nuk e dimë emrin e vajzës, si dukej ajo dhe kush janë prindërit e saj. Ajo është në mesin e 1617 personave të zhdukur me forcë.

Ndërsa ne e dimë se ajo nuk do të kthehet më te shtëpia dhe te lulet që ka pikturuar, nuk do t’i shohim kurrë me të, ne do ta tregojmë gjithmonë historinë e saj dhe nuk do të ndalemi kurrë derisa të dihet fati i saj. Dhe ne do ta kujtojmë gjithmonë atë dhe 1133 fëmijët që u vranë nga Serbia gjatë viteve 1998-99.”

(Kosova Sot Online)