Si u hodh në erë shtëpia e policit, dëme dhe pamje të frikshme nga vila trekatëshe

  • E.K /
  • 14 January 2023 - 14:03
 Si u hodh në erë shtëpia e policit, dëme dhe pamje të frikshme nga vila trekatëshe

Duket se qyteti i Shkodrës nuk po gjen qetësi. Tashmë në shënjestrën e kërcënimeve dhe të mesazheve janë vënë oficerë të Policisë e ditën e djeshme ai që drejton sektorin e Policisë Kriminale në komisariatin e kësaj policie.

Një akt i rëndë dhe i paprecedentë, ku mësohet se një person apo disa persona ende të paidentifikuar kanë hedhur një sasi lëndë shpërthyese në banesën e kreut të Policisë duke i tronditur.

Ngjarja ka ndodhur në të zbardhur, ndërkohë që si vetë shefi i policisë, ashtu edhe familjarët e tij, kanë bërë me dije se nuk kanë asnjë problem e për pasojë dyshimet i kanë se ngjarja ka ardhur si pasojë e detyrës së djalit. Policia ka nisur menjëherë hetimin e ngjarjes duke u bazuar në pamjet filmike dhe në dëshminë e familjarëve të shefit të krimeve.

Nga të dhënat e mëvonshme u mësua se në fakt është bërë e mundur të fiksohen pamjet e një personi teksa ka shënjestruar me lëndën plasëse banesën e familjes së Pllumb Shpatit.

Por pas një moti verifikimesh ende nuk është shkuar te ndonjë person i dyshuar. Sipas të dhënave bëhet me dije se Policia ka marrë edhe pamjet e disa bizneseve dhe të banesave në rrugën që ka ndjekur autori duke bërë të mundur kështu gjurmimin e tij, por pa deklaruar asgjë nga të gjitha veprimet hetimore të ditës së djeshme.

NGJARJA

Familja Shpati është zgjuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga një shpërthim i fuqishëm në banesën e tyre.

Një sasi lënde eksploziv është vendosur në banesën e Pllumb Shpatit, shef i krimeve në Komisariatin e Shkodrës rreth orës 03:50 në lagjen Dobraç, në periferi të Shkodrës, duke shkaktuar dëme të shumta materiale në dyer, mure, dritare si dhe në automjete. Pllumb Shpati bëhet me dije se jetonte në një vilë 3-katëshe së bashku me familjet e 2 vëllezërve të tij. Në total në familje janë 17 anëtarë.

I pari që u prononcua për mediat ishte Gjergj Shpati, i ati i shefit të krimeve në policinë e Shkodrës. Babai u shpreh se familja e tij nuk ka asnjë konflikt dhe se sulmi ka ardhur për shkak të detyrës. I moshuari u shpreh gjithashtu se dëmet materiale janë të shumta dhe se shpërthimi ishte shumë i fuqishëm.

Ai kërkoi nga shteti të vijonte me hetimet. Në dëshminë e 49-vjeçarit Pllumb Shpati nuk ishte dhënë asnjë detaj konkret, pasi ky i fundit nuk kishte asnjë dyshim se nga kush mund t’i kishte ardhur sulmi. Sidoqoftë, për blutë e Shkodrës ka një shans për identifikimin e autorit falë disa kamerave të sigurisë në hyrje të lagjes Dobraç. Kamerat e sigurisë kanë filmuar autorin që iu afrua banesës së shefit të Krimeve, Pllumb Shpati, për të vendosur sasinë e tritolit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:50 në lagjen Dobraç. Në lidhje me shpërthimin me tritol në banesën e shefit të krimeve në Policinë e Shkodrës, Pllumb Shpati ka thënë për grupin hetimor se s’ka konflikte me askënd. Po të njëjtit version i ka qëndruar edhe i ati, i cili ka bërë me dije se gjithçka ka ndodhur nga detyra e të birit.

Për shkak të detyrës e ka cilësuar i ati i shefit të Krimeve në Shkodër, Pllumb Shpatit, motivin e shpërthimit në banesën e tij pak para se të zbardhej. Gjergj Shpati, në një prononcim për mediat, shprehet se dëmet janë kudo në dyer, dritare e fasadë. Në banesën e Pllumb Shpatit jetonin 3 familje, 17 anëtarë. Babai i tij thotë se nuk kanë asnjë konflikt dhe se së fundmi djali i tij nuk ka pasur asnjë kërcënim.

“Kam dalë dhe kam dëgjuar krismën, kam dalë dhe e kam parë. Ne jetojmë këtu 3 familje, ishte i fuqishëm, të kallëzojnë vetë shikoni dëmet. Ka dëme në dritare, dyer, fasadë… S’e dimë nga erdhi, se priti kush. Nuk e dimë, ishim në gjumë. Po për shkak të detyrës se ne s’kemi ngatërresa, si kam kujt borxh, as më ka”, tha Gjergj Shpati për mediat lokale të qytetit verior.

(Kosova Sot Online)