Detaje të reja për rastin e Rozeta Dobit, çfarë rezultoi pas kontrolleve

  • A.P /
  • 15 January 2023 - 17:17
Detaje të reja për rastin e Rozeta Dobit, çfarë rezultoi pas kontrolleve

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të zbuluar se kush është pronari i shumës prej 404 mijë eurosh që u zbuluan në tubin e aspiratorit në shtëpinë e pastrueses Rozeta Dobi, e cila përfundoi në pranga bashkë me të birin Havierin, për vjedhjen e shtëpisë së Alda Klosit, ish-shefe e kabinetit të ish- zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj.

Në celularin e të dyshuarës janë zbuluar edhe zyrtarë të tjerë, por edhe qytetarë të thjeshtë, shtëpitë e të cilëve Dobi i pastronte prej kohësh, të gjitha ata janë thirrur në organin e akuzës, dhe disa prej tyre kanë deklaruar se janë vjedhur vetëm bizhuteri, ndërsa të tjerë kanë deklaruar se në banesat e tyre nuk është marrë asgjë.

 

Pastruesja Dobi ka pranuar se ka vjedhur shumën prej 120 mijë eurosh në shtëpinë e ish-zyrtares Klosi, ndërsa ka mbyllur gojën për të rrëfyer se kujt i përket shuma e majme e parave që u zbulua pas përgjimit ambiental të nënë e bir.

Prokuroria e cila po heton krahas vjedhjes edhe për veprën penale të pastrimit të parave, ka urdhëruar kontrollin e disa banesave, ndërsa pret përgjigje nga bankat e nivelit të dytë, për të parë nëse e dyshuara dhe i biri kanë llogari bankare dhe sa është shuma në këto llogari.

(Kosova Sot Online)