Miratohet ligjii më i ashpër për duhanin

  • A.P /
  • 16 January 2023 - 19:00
Miratohet ligjii më i ashpër për duhanin

Meksika ka miratuar një nga ligjet më të forta në botë kundër duhanit. Mund ta pish vetëm në shtëpi tani, askund tjetër, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për shumë qytetarë ky ligj s’ka mundësi zbatimi, por ngaqë qeveria nuk ndalon dot drogën, po ndalon duhanin, shkruajnë mediat meksikane.

Rregulli i vitit 2008 në Meksikë që krijoi zona pa duhan në bare, restorante dhe vendet e punës tani është zgjeruar për të përfshirë një ndalim të plotë në të gjitha zonat publike. Parqet, plazhet, vendet e punës dhe restorantet të gjitha i përkasin kësaj kategorie. Gjithashtu, do të ketë një ndalim të plotë të reklamimit, marketingut dhe sponsorizimit të produkteve të duhanit, gjë që parandalon shfaqjen e cigareve edhe brenda dyqaneve.

Duhanpirësit do të mund ta pijnë cigaren vetëm në shtëpitë e tyre dhe në asnjë vend tjetër. Sipas shumë analistëve në Meksikë kjo është një masë që nuk ka për t’u zbatuar, ndaj është thjesht për show.

Organizata Shëndetësore Panamerikane e përshëndeti vendimin për zbatimin e ndalimit dhe tha se ky ndalim do të parandalojë miliona vdekje, por gazeta dhe portale të shumta e kanë ironizuar këtë masë duke thënë se qeveria nuk ndalon dot drogën, ndaj po ndalon duhanin.

Shumë analistë e kanë vënë në pikëpyetje mënyrën se si do të zbatohet ligji, teksa akuza nga opozita vendase janë se kjo politikë do të përdoret për të vendosur më shumë gjoba ndaj qytetarëve, pasi nuk jep efektivitet në lënien e cigares.

Meqenëse korrupsioni policor është shumë i përhapur në Meksikë, shumë duhanpirës shqetësohen më shumë për gjobat se për vendin ku do të pijnë cigare, shkruajnë mediat meksikane.

(Kosova Sot Online)