Zbardhen detaje të reja nga skandali me korrupsionin në PE, ish-eurodeputeti italian pranon ta ‘zbërthejë’ të vërtetën

  • 18 January 2023 - 12:16
Zbardhen detaje të reja  nga skandali me korrupsionin në PE, ish-eurodeputeti italian pranon ta ‘zbërthejë’ të vërtetën

Pier Antonio Panzeri, një ish-eurodeputet Italian ka pranuar përfshirjen e tij në skandalin e korrupsionit në Parlamentin Evropian. Panzeri do të rrëfejë gjithçka rreth skandait që shpërtheu në Bruksel, përcjell "Kosova Sot Online".

Sipas BBC, Panzeri ka pranuar të tregojë vendet që janë përfshirë nëskandalin e Qatargate dhe mënyrën se si funksiononte rrjeti i korrupsionit.

Avokati i Panzeri-t ka thënë se klienti i tij kishte rënë dakord të tregonte gjithçka pas marrëveshjes së arritur me prokurorët e çështjes.

Ish-deputeti i Parlamentit Evropian është një nga katër të dyshuarit që mbahen në Belgjikë.

Ata dyshohen se kanë marrë ryshfet nga Katari dhe Maroku në këmbim të ndikimit në Parlamentin e Brukselit.

Katari ka mohuar ashpër se është përpjekur të fitojë ndikim përmes dhuratave dhe parave, ndërsa Maroku gjithashtu ka hedhur poshtë me forcë akuzat se ka kërkuar ndikim në çështje të tilla si të drejtat e peshkimit dhe statusi i diskutueshëm i Saharasë Perëndimore.

Katër të dyshuarit u akuzuan muajin e kaluar pasi policia sekuestroi rreth 1.5 milionë euro para të gatshme gjatë një serie bastisjesh në një apartament, një shtëpi dhe një hotel.

Fotot e kartëmonedhave prej 200 €, 50 €, 20 € dhe 10 € u publikuan nga policia, duke përfshirë një valixhe të gjetur në hotel e cila ishte e mbushur me para të gatshme.

Prokurorët thanë se Panzeri ra dakord për marrëveshjen për pranimin e fajësisë sipas një ligji për informatorin, i përdorur vetëm një herë më parë në Belgjikë.

(Kosova Sot Online )