Spahiu paralajmëron mundësinë e luftës mes Kosovës dhe Serbisë

  • A.P /
  • 18 January 2023 - 16:04
Spahiu paralajmëron mundësinë e luftës mes Kosovës dhe Serbisë

Mundësinë e luftës nëse nuk arrihet një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë para muajit mars, ka paralajmëruar analisti Nexhmedin Spahiu, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Spahiu u shpreh që kjo luftë mund të shpërthejë për shkak se palët duan të shfaqin dominancë në veri të Kosovës, dhe perëndimi mund t’i lejojë që të luftojnë nëse ato nuk arrijnë marrëveshje.

“Rreziku i luftës mes Kosovës dhe Serbisë nuk është shmangur. Le ta analizojmë edhe një herë planin franko-gjerman që ShBA-ja dhe BE-ja e marrin si bazë. Është një kompromis në të cilin Serbia e njeh Kosovën në këmbim të një autonomie më të madhe për serbët e Kosovës... Por, është folur për 12 vjet se cili do të jetë niveli i kësaj autonomie... Se cila do të jetë marrëveshja varet nga situata në terren, dhe kësisoji ne rrezikojmë të shkojmë në luftë me secilën palë që dëshiron të shfaq dominancën në veri,” – u shpreh mes tjerash ai.

Ai tha se deri tash ka pasur armëpushim të ndërmjetësuar nga amerikanët, por që ky armëpushim nuk mund të zgjaste përgjithmonë.

“Nëse palët arrijnë kompromis para marsit, atëherë lufta mund të shmanget, por nëse Perëndimi sheh që palët nuk do t’ia dalin, atëherë ata do të luftojnë,” – ka thënë ai.

Sipas tij, kur flitet për konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë, po flitet për gjithçka përfshirë edhe mundësinë që Prishtina të sulmohet.

“Nëse Amerika sheh që Serbia nuk do që të dorëzohet dhe të largohhet nga Rusia, atëherë mund ta lejojë atë që të gabojë duke hyrë në Kosovë në mënyrë që të ketë arsyetimin për ta sulmuar Beogradin dhunshëm....” ka argumentuar Spahiu.

(Kosova Sot Online)