Trajkoviq i reagon 'humorit' të gazetës serbe: Pyes veten se çfarë mendon Gjermania!

  • A.P /
  • 18 January 2023 - 16:40
Trajkoviq i reagon 'humorit' të gazetës serbe: Pyes veten se çfarë mendon Gjermania!

Një karikaturë në të cilin  protagonistë janë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe dy politikanët serbë të Kosovës, Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviq, e ka publikuar gazeta serbe “Informer” e cila është kokë e këmbë në shërbim të regjimit të Aleksander Vuçiqit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Personazhe janë edhe dy ushtarë gjermanë që Informer i paraqet si nazistë,

Përmes karikaturës, gazeta e Aleksander Vuçiqit është munduar të ndërtojë një narracion se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “po i kërcënon” serbët që jetojnë në Kosovë kur po bën thirrje që NATO të sjellë më shumë trupa në Kosovë.

Aty, Kurti dy ushtarëve gjermanë të kohës së nazizmit  u thotë ejani në Kosovë “për t’ua treguar qejfin serbëve” duke bërë kështu një ndërlidhje me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.

Pjesë e këtij vizatimi propagandistik janë edhe dy politikanët serbë të Kosovës, Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviq të cilët s’i nënshtrohen regjimit të Aleksander Vuçiqit dhe që po bashkëpunojnë më Qeverinë e Republikës së Kosovës.


Trajkoviq dhe Rashiq paraqiten duke e bërë shqiponjën dhe duke thënë se “kërcënimi” i Kurtit me ushtarët nazistë s’ka të bëjë me ata të dy, meqë janë deri në fund me Kurtin.

Kjo ka nxitur reagimin e politikanes serbe, Rada Trajkoviq e cila ka reaguar në llogarinë e saj zyrtare. Trajkoviq thotë se e shtron pyetjen se çfarë mendojnë investitorët gjermane dhe vetë shteti gjerman për një “humor” të tillë të gazetës së regjimit.

“Pyes veten se çfarë mendojnë investitorët gjermanë (dhe vetë Gjermania) për këtë lloj “humori” të gazetës kryesore të regjimit”, ka shkruar Trajkoviq.

Ajo në këtë reagim ka përfshirë edhe ambasadën e Gjermanisë në Kosovë, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe OSBE-në

(Kosova Sot Online)