Apeli e kthen në rigjykim rastin pasi i pandehuri ishte dënuar me 8 vite burgim

  • A.P /
  • 18 January 2023 - 17:00
Apeli e kthen në rigjykim rastin pasi i pandehuri ishte dënuar me 8 vite burgim

Për akuzën se shkaktoi aksident në qershor të 2021-ës në Koshare të Ferizajt, ku humbën jetën pesë persona, gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku Erton Musliu ishte dënuar me 8 vite burgim, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 27 maj 2022 e kishte dënuar Musliun me 8 vite burgim për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Mirëpo, Gjykata e Apelit ka vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Në vendimin e Apelit thuhet se është aprovuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Erton Musliu, avokatit Taulant Hodaj, dhe sipas detyrës zyrtare anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, i datës 27 maj 2022, ashtu që çështja penale i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje.

“Meqenëse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, 2021:217713, i datës 27.05.2022, është anuluar sipas detyrës zyrtare, ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren, si dhe ankesa e përfaqësuesve të përbashkët të të dëmtuarve, avokatit Gazmend Sopa dhe avokatit Ekrem Agushi, tani për tani janë jo lëndore”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prizren, për shkak të vendimit për dënimin, duke propozuar që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, të ndryshohet përkitazi me lartësinë e dënimit, ashtu që të akuzuarit Erton Musliu t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Po ashtu, kundër këtij aktgjykimi, në afatin ligjor ankesë kishte ushtruar dhe përfaqësuesi i autorizuar i të dëmtuarve, avokati Gazmend Sopa dhe avokati Ekrem Agushi, për shkak të vendimit lidhur me sanksionin penal dhe kanë propozuar që për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par.5 lidhur me par.1 të KPK-së, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

(Kosova Sot Online)