Ja çfarë po bën kryeministri Kurti në Forumin Davosit

  • A.P /
  • 18 January 2023 - 18:40
Ja çfarë po bën kryeministri Kurti në Forumin Davosit

Në Forumin Botëror Ekonomik, kryeministri Albin Kurti s’ka folur vetëm për ekonominë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Nga Qeveria kuptohet se Kurti në Davos ka pasur qëllim edhe “shpërfaqjen” e Serbisë para ndërkombëtarëve dhe lidhjet e saj me Rusinë. Sipas ish-kryeministrit Hoti, thirrjet për investime dhe paralajmërimet për konflikt nuk shkojnë bashkë.

Para nisjes së Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku mblidhet elita botërore politike dhe ekonomike, Kryeministri Albin Kurti u pyet nga gazeta zvicerane Tages-Anzeiger se cili do të jetë mesazhi i tij në këtë forum. Ai tha:

“Vizitoni dhe investoni në Kosovë! Sepse Kosova është një vend progresiv, pro-evropian dhe demokratik. Kosova është një histori e dyfishtë suksesi. Në vitin 1999, shtetet demokratike të NATO-s ndaluan gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Që atëherë, ne kemi dëshmuar se zhvillimi ekonomik dhe demokracia shkojnë me njëra-tjetrën”.


Në kuadër të Forumit Ekonomit Botëror, çdo vit zhvillohen takime dhe diskutime mbi ekonominë, me pjesëmarrës top lidërët botërorë. Por, si në secilin tubim tjetër të rëndësishëm, këtë herë edhe në Davos, vëmendja ishte te Ukraina dhe sulmi i Rusisë ndaj saj. Dhe, Kurti nuk u largua shumë nga kjo temë – së paku siç kuptohej nga intervistat e tij në mediat zvicerane.

Kurti ka folur për situatën në vend, edhe në raport me Serbinë dhe qëllimet e Rusisë për ta destabilizuar Kosovën. Për mediumin zviceran Blick, ai tha se presidenti rus, Vladimir Putin do që të hapë konflikt në Kosovë.

“Putini dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë. Unë jam i kujdesshëm, por kurrë nuk kam frikë. Jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai është i lumtur me mungesën e suksesit të intervenimeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron që në Kosovë pati sukses intervenimi”, ka thënë Kurti në intervistë për gazetën zvicerane “Blick”.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka kritikuar gjuhën e Kurtit në Forumin Ekonomik Botëror. Ai shkroi sot se “Thirrje për investitorë dhe paralajmërime për konflikt nuk shkojnë bashkë”.

“Shkon në Davos dhe e organizon një minikonferencë për investime, për të cilën e paguan një kompani konsulente 58,341.19 franga zvicerane pa asnjë procedurë prokurimi”, ka shkruar sot Hoti.

Në një takim që Kurti e ka pasur me kryeministren Sanna Marin, në margjinat e forumit, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrin, thuhet të jetë folur për shtimin e ushtarëve finlandezë në KFOR.

“U bisedua për rritjen në 70 të numrit të ushtarëve finlandez në Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR)”. 

(Kosova Sot Online)