Biserko: Formimi i Asociacionit është i rrezikshëm për Kosovën

  • A.P /
  • 18 January 2023 - 21:52
Biserko: Formimi i Asociacionit është i rrezikshëm për Kosovën

Rusinë si një faktor pengues për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, e sheh kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pavarësisht se ka presion të madh nga Perëndimi, Biserko thotë se Serbia do të bëjë çmos që ta shtyje marrëveshjen me Kosovën.

“Duket qartë që ka një përfshirje më të madhe të SHBA-së në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Në tavolinë është plani franko-gjerman dhe me sa kam kuptuar Kosova e ka pranuar atë, por të njëjtën nuk mund ta them për Serbinë e cila i ka dyshimet e saj. Në këtë pikë nuk e shoh Serbinë të gatshme për marrëveshje, për shkak se ndikimi rus është akoma shumë i fort. Pavarësisht që ka një presion të madh nga Perëndimi që të arrihet një marrëveshje, Serbia do të bëjë çmos që sa ma shumë ta shtyje ketë proces”,u shpreh ajo.

Biserko ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Sipas saj, formimi i Asociacionit është i rrezikshëm për Kosovën nëse fillimisht nuk arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Natyrisht se pa një marrëveshje gjithëpërfshirëse asociacioni mund të jetë i rrezikshëm për Kosovën. Ju nuk mund t’i zgjidhni problemet e minoriteve në rast se nuk keni sovranitet të plotë mbi territorin tuaj. Pra, fillimisht duhet të arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dyja vendeve e më pastaj të flitet për çështje të tilla sikurse asociacioni. Minoriteti serb në Kosovë është duke u manipuluar nga Beogradi”,shtoi Biserko.

Tutje, aktivistja për të drejtat e njeriut shprehet e zhgënjyer se sa pak është progres në çështjen e personave të pagjetur.

“Fatkeqësisht çështja e personave të pagjetur është politizuar skajshmërisht dhe kjo është shumë e rëndë për familjarët e viktimave. Duhet më shumë vullnet politik nga të dyja palët që kjo çështje të zgjidhet. Serbia përmend vazhdimisht 400 serbët e zhdukur ndërsa nuk e përmend faktin që janë mbi 1.000 shqiptarë të zhdukur. Kryerësit e këtyre krimeve duhet të sillen para drejtësisë”, tha ajo.

Të premten 5 diplomatë nga BE-ja dhe SHBA-ja pritet të vijnë në Prishtinë, në përpjekje për të avancuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot Online)