Stano: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet e njëanshme

  • A.P /
  • 19 January 2023 - 16:31
Stano: Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet e njëanshme


Kosova dhe Serbia të përmbahen nga secili veprim që mund të destabilizojë situatën, u ka bërë thirrje Bashkimi Evropian, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Duke u përgjigjur në pyetjet rreth akuzave që kanë shkëmbyer Kosova dhe Serbia për mosrespektimin e marrëveshjes rreth targave, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se të gjitha palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme.

BE kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë në tërësi dhe pa kushte marrëveshjet dhe aranzhimet e arritura më 23 nëntor të vitit të kaluar, me të cilat edhe Kosova edhe Serbia u pajtuan për masat specifike rreth targave për të ulur tensionet dhe për t’u fokusuar në tërësi te propozimi i BE-së për të normalizuar raportet e tyre“ ka thënë Stano.

“Ne gjithashtu kemi marrë parasysh vendimin e Serbisë, më 6 dhjetor 2022, që letrat ngjitëse të regjistrimit për targat KM nuk do të rinovohen. Ne kuptojmë se rinovimi i sigurimit dhe kontrolli teknik ka të bëjë me automjetin e jo me tabelat e regjistrimit, dhe si i tillë nuk mund të konsiderohet rinovim i tabelave të regjistrimit“ ka thënë Stano.

“Por gjithsesi, ne i ftojmë të gjitha palët që të respektojnë marrëveshjen dhe të fokusohen në normalizimin e raporteve, sipas propozimit të BE-së, dhe çfarëdo pyetje rreth interpretimeve të asaj se çfarë është rënë dakord më 23 nëntor, të diskutohet përmes dialogut, e jo përmes veprimeve të pakoordinuara në terren, që mund ta destabilizojnë situatën edhe ashtu fragjile“, ka thënë zëdhënësi i BE-së.

(Kosova Sot Online)