Kurti: Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe

  • A P /
  • 22 January 2023 - 15:30
Kurti: Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe

Pasojat e vërshimeve që kanë prekur disa komuna të vendit, i pa nga afër sot kryeministri Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Kurti ishte sot bashkë me dy ministra, në dy prej tyre, në Skënderaj dhe Mitrovicë. 

Kurti e ka përshkruar në Facebook situatën e rëndë të krijuar pas vërshimeve në këto dy komuna, ndërsa ka thënë se ka rrezik për epidemi.

“Duke ju falenderuar angazhimit dhe solidaritetit të të gjithëve me njëri-tjetrin nuk kemi jetë të humbura nga vërshimet. Ka dëme të konsiderueshme materiale: janë dëmtuar ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese. Në Skënderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula. Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit”, ka shkruar Kurti.

“Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura”, shtoi kryeministri.


Shefi i Qeverisë tha se “pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara”.

“Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate”, shkroi ai.

(Kosova Sot Online)