Si ia vodhën hajnat një laptop gjyqtarit të Speciales

  • A.P /
  • 22 January 2023 - 16:17
Si ia vodhën hajnat një laptop gjyqtarit të Speciales

Pretendohet se është kryer një vjedhje në banesën e një gjyqtari të Gjykatës Speciale, sipas gazetës franceze “Le Journal du Dimanche”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas Journal, bëhet fjalë për vjedhjen e një laptopi me të dhëna sensitive.  


Raportohet se vjedhja ka ndodhur në një banesë në Paris ndaj gjyqtarit të Dhomës së Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës.

Kësisoj, sipas tyre, kjo ngjarje ka ngritur shqetësime dhe brenga te autoritetet gjyqësore dhe policore në shtetin francez.

“Banorët e një ndërtese e thirrën Policinë pasi vërejtën që dera e fqinjit të tyre ishte hapur me forcë”, thuhet në artikullin e gazetës.


Më pas, kur policia franceze kishte mbërritur në vendngjarje, kishte parë se personat misteriozë që ishin futur aty nuk kishin lënë gjurmë.

“Nuk ishte vjedhur asnjë gjë me vlerë, përveç një laptopi”.


Lidhur me ngjarjen thuhet se është njoftuar vetë personalisht gjyqtari, i cili pretendohet se e ka fshirë përmbajtjen e laptopit të tij nga largësia.

Laptopi i tij thuhet se përmbante të dhëna “shumë sensitive” që kanë të bëjnë me procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, të cilët po akuzohen për krime lufte.

Ata po mbahen në paraburgim që nga nëntori i 2020’s.

Gazeta franceze raporton se edhe një tjetër gjyqtar kishte qenë shënjestër e një vjedhjeje në shtëpinë e tij në Bruksel të Belgjikës.

Por, thuhet se në këtë rast, hajdutët kishin dështuar pasi ishin identifikuar dhe zënë.

Mes tjerash, gazeta franceze përmend edhe rrjedhjen e dosjeve nga Gjykata Speciale në vitin 2020, e cila kishte bërë mjaft bujë në opinionin kosovar.

Për këtë, ish-krerët e Organizatë së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë dënuar nga Specialja me burgim për pengim të drejtësisë.

(Kosova Sot Online)