Arrestohen 9 zyrtarë nga Kosova për mashtrim, raportohet për 300 mijë euro

  • A.P /
  • 23 January 2023 - 16:16
Arrestohen 9 zyrtarë nga Kosova për mashtrim, raportohet për 300 mijë euro

Të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit dhe për mashtrim, janë arrestuar nëntë persona, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Personat e arrestuar në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit teknik kanë bërë pranimin e punimeve të stadiumit futbollistik në fshatin Magure, Komuna e Lipjanit, kinse janë kryer punimet sipas kontratës së fituar nga një kompani, njofton Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Këta zyrtarë dyshohet se kanë shkaktuar dëm prej 300 mijë eurosh.

“Po ashtu, gjatë këtij aksioni është ndaluar edhe një (1) person, përgjegjës i Kompanisë në fjalë. Ndërkaq, personat e lartcekur me këto veprime dyshohet se i kanë shkaktuar dëme buxhetit komunal në vlerë rreth treqind mijë (300.00) euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

(Kosova Sot Online)