Borrell jep detaje të reja për propozimin franko-gjerman

  • A.P /
  • 23 January 2023 - 20:11
Borrell jep detaje të reja për propozimin franko-gjerman

Për rezultatet dhe hapat e radhës në dialogun Kosovë-Serbi, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bashkë me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak kanë informuar ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian,  transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Borrell gjatë konferencës për media, tha se i ka informuar ministrat rreth propozimit për normalizimin e marrëdhënieve.

“I informova ministrat për misionin e përfaqësuesit tonë special. Javën e kaluar, të dërguar në emrin tim, së bashku me zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan Escobar dhe këshilltarët për politikë të jashtme të liderëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të gjithë udhëtuan në Kosovë dhe Serbi për të vazhduar diskutimet mbi propozimin për normalizimin e marrëdhënieve. Theksojmë se avancimi i këtij propozimi do të sillte përfitime të konsiderueshme për të dyja palët, dhe mendoj se është e vetmja mënyrë për të thyer ciklin vicioz të krizës në terren dhe për të reduktuar rrezikun për përshkallëzim të mëtejshëm. Ne presim angazhime serioze dhe gatishmëri për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive për ta çuar përpara këtë propozim”, ka thënë Borrell.

Javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi, qëndruan për vizitë një delegacion i emisarëve ndërkombëtar për të dinamizuar procesin e dialogut. 

(Kosova Sot Online)