SHBA: Miku i Edi Ramës rrezikon mbi 20 vite burg

  • A.P /
  • 23 January 2023 - 23:02
SHBA: Miku i Edi Ramës rrezikon mbi 20 vite burg

Mediat amerikane vijojnë të publikojnë të tjera informacione për lajmin e bujshëm të arrestimit të një ish-zyrtari të lartë të FBI.

Sipas medieve amerikane, ky arrestim është një lajm i rrallë, ndërkohë që Charles McGonigal akuzohet se ka ndihmuar oligarkun rus, Oleg Deripaska.

Për ironi, vetë McGonigal kishte nisur hetimet për lidhjet e Donald Trump me rusët, ndërkohë që vetë kishte lidhje të forta me rusët.

Por skandali tjetër lidhet direkt me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, i cili e ka pranuar publikisht se McGonigal është miku i tij.

McGonigal u akuzua paralelisht në një gjykatë në kryeqytetin Uashington për fshehjen e 225 mijë dollarë pagesave që pati marrë nga një burim i jashtëm, person me të cilin pati udhëtuar së bashku në Evropë.

“Departamenti i Drejtësisë thotë se zoti McGonigal gjithashtu fshehu nga FBI-ja detajet e një udhëtimi që bëri në Shqipëri në vitin 2017, së bashku me një ish-zyrtar të shërbimeve shqiptare të zbulimit, i cili i kishte dhënë 225 mijë dollarë.

Prokurorët thonë gjithashtu se ai nuk dha emrin e personit që e shoqëronte gjatë udhëtimit, si dhe nuk informoi se qëndrimi i ishte siguruar falas.

Departamenti i Drejtësisë thotë se pasi mbërriti në Shqipëri, ai u takua me kryeministrin shqiptar dhe e dekurajoi atë nga dhënia e licencave për kompani ruse guaskë për kërkime për naftë në vend. Prokurorët thonë se personat shqiptarë që janë kontakte të zotit McGonigal kishin interesa financiare me këto vendime.

Zoti McGonigal duhet të kishte raportuar në FBI kontaktet me zyrtarë të huaj, por prokurorët thonë se ai i pati fshehur këto nga punëdhënësi, ndërsa vazhdonte me udhëtime pune dhe ndërkombëtare që e vendosën në konflikt interesi me detyrat e tij si oficer i zbatimit të ligjit,” raporton Zëri i Amerikës.

Ndërkohë, mediat raportojnë se shqiptari që i dha ryshfet, kishte lidhje me një kompani kineze.

Po kush ishte personazhi shqiptar që pagoi këtë ryshfet? Sipas Insider, ai është një ish-zyrtar shqiptar, i natyralizuar si qytetar amerikan, që jeton në Nju Xhersi.

Në njoftimin zyrtar të Departamentit të Drejtësisë në SHBA, thuhet se miku i Ramës rrezikon mbi 20 vite burg.

Image

(Kosova Sot Online)