Anëtarët e ASHAK-ut kërkojnë Kuvend të jashtëzakonshëm, kërkesa e vetme shkarkimi i akademik Mehmet Krajës

  • S.A /
  • 24 January 2023 - 12:36
Anëtarët e ASHAK-ut kërkojnë Kuvend të jashtëzakonshëm, kërkesa e vetme  shkarkimi i akademik  Mehmet Krajës

Dhjetë anëtarët të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë kërkuar nga Kryesia e ASHAK-ut mbajtjen e Mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit.Ky Kuvend është thirrur me vetëm një pikë të rendit të ditës: Veprimet e papërgjegjshme të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Aty është kërkuar edhe shkarkimi i kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja, transmeton "Kosova Sot Online".

“Në mbështetje të Ligjit Nr. 05/L-038 për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), neni 13, para. 4.3 dhe të Statutit të ASHAK, neni 29, para. 4.3, 8 dhe 13, ne, të nënshkruarit, anëtarë të rregullt dhe anëtarë korrespondentë të ASHAK, i kërkojmë Kryesisë së ASHAK-ut që në afatin statutor ta thërrasë KUVENDIN E JASHTËZAKONSHËM, me një pikë të rendit të ditës: VEPRIMET E PAPËRGJEGJSHME TË KRYETARIT TË AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS”, thuhet në kërkesën e tyre.

Në këtë dokoument bëhen të ditura edhe arsyet për thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Kuvendit:

1. Kryetari i ASHAK, Akademik Mehmet Kraja, me sjelljet e tij imponuese, të papërgjegjshme, e të paligjshme, si dhe me deklaratat skandaloze publike e ka dëmtuar rëndë Akademinë dhe imazhin e saj në qarqet shkencore dhe artistike.

2. Seksioni i Shkencave Shoqërore, unanimisht, në mbledhjen e mbajtur më 23 dhjetor 2022, i ka dënuar sjelljet e Kryetarit dhe ka kërkuar nga ai “reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë, duke e botuar rrejshëm dokumentin “SYNIMET

3. DESTABILIZUESE TË SERBISË NË KOSOVË DHE NË BALLKANIN PERËNDIMOR.” Me atë rast, Kryetari e ka shkelur rëndë edhe integritetin e Administratës së ASHAK, duke e shtyrë që atë dokument me autorësi të falsifikuar, ta publikojë në faqen zyrtare të ASHAK-ut.

Ndryshe, Mehmet Kraja është kritikuar ashpër në vend, pas publikimit të analizës skandaloze: “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”.

(Kosova Sot Online )