Pse Vuçiq po përpiqet ta futë në kurth Kurtin?

  • A.P /
  • 24 January 2023 - 18:26
Pse Vuçiq po përpiqet ta futë në kurth Kurtin?

Sinjale të forta se është pro planit franko-gjerman, ka dhënë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".


Sipas tij, negociatat për marrëveshje dhe kthimi i serbëve në institucione, mund të ndodhin vetëm pasi të formohet Asociacioni. 


Kjo ka shtyrë Perëndimin të thotë se Asociacioni është i ndarë nga plani franko-gjerman dhe se themelimi i tij duhet të nisë menjëherë. Lutfi Haziri “pranimin” e planit e quan lojë të Vuçiqit me qëllim që Kosova të mbetet pala që po e dështon marrëveshjen. 


Kurti ka kërkuar që Asociacioni të trajtohet në kuadër të planit, por qëkur emisarët e hodhën poshtë këtë, ai më s’është prononcuar.


Në një moment, Kryeministri Albin Kurti ishte kthyer në gardianin e planit franko-gjerman. Madje, e mbronte atë edhe nga evropianët, që ishin krijuesit e atij propozimi. Pas takimit të fundit me Presidentin serb, Aleksandër Vuciqin, në Bruksel, Kurti e akuzonte Kryediplomatin e BE-së, Joseph Borrell, se kishte hequr dorë nga propozimi evropian, që fillimisht është njohur si “plan franko-gjerman”.

Me ato që janë deklaruar pas së premtes kur Kurtin dhe Vuciqin i vizituan pesë top diplomatët, duket se disa gurë kanë lëvizur. Pozicionet e Kurtit dhe të Vuçiqit rreth planit franko-gjerman, nuk janë më krejt të njëjta.


Pas dy orë diskutimesh në zyrën e Kurtit, Miroslav Lajcak, përfaqësues special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, tha se ka pritur që propozimi evropian të kuptohej më mirë.

“Është shumë herët të bëjmë ndonjë deklaratë dramatike, sepse jemi në mes të misionit dhe do të vazhdojmë në Beograd. Nuk mund të them shumë. Çfarë dua, megjithatë, të them në këtë pikë, është se ne kemi pritur kuptim më të mirë për mundësitë që ky propozim [propozimi evropian] i ofron”, u shpreh Lajçaku pas takimit me Kurtin.

Pesëshja diplomatike do të lajmërohej nga Beogradi, kur Qeveria e Kosovës lëshoi një njoftim rreth takimit në Prishtinë.

Pa u lënë të kuptohej se kishte ndonjë mospajtim, as çka kishte pritur Lajcak, Qeveria e Kosovës konfirmoi se në krejt atë takim u diskutua për propozimin evropian, të cilin, edhe më tutje Kurti e vlerëson “bazë të mirë” për diskutim.

“Për më shumë se dy orë u diskutua për propozimin evropian, të cilin Kryeministri Kurti e vlerëson si bazë të mirë për diskutim të mëtejshëm për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, thuhej në njoftimin e Kryeministrisë.

Gjatë fundit të vitit që shkoi, kryeministri Kurti thoshte se Vuçiq nuk po e pranonte propozimin evropian dhe ishte i bindur se prej këtij refuzimi buronin tentimet e tij për ta destabilizuar veriun e Kosovës.

Duke u nisur nga kjo deklaratë e Kurtit, befasia ndodhi në Beograd. Pas takimeve me diplomatët evropianë dhe përfaqësuesin amerikan, presidenti serb tha se do të negociohej me Kosovës, sipas propozimit evropian.

“Duhet ta pranoni këtë plan, më thanë”, tha Vuçiq në një konferencë për media mbrëmjen e 23 janarit.

Presidenti serb tha se nëse Serbia do të refuzonte të bisedonte në bazë të propozimit, përveç bllokimit të integrimeve dhe ndaljes së investimeve, do të ballafaqohej edhe me regjimin e vizave.

(Kosova Sot Online)