Chollet kërkon nga Kurti ta pranojë planin e BE-së për dialogun Kosovë - Serbi

  • E.K /
  • 25 January 2023 - 08:28
Chollet kërkon nga Kurti ta pranojë planin e BE-së për dialogun Kosovë - Serbi

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka telefonuar kryeministrin, Albin Kurti për të diskutuar në lidhje propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e mardhënieve Kosovë – Serbi, përcjell “Kosova Sot Online”

Chollet ka thënë se nga Kurti ka kërkuar që ta pranojë këtë plan të propozuar nga BE-ja.

Chollet ka potencuar se në këtë bisedë kanë folur edhe për nevojën dhe kthimin e serbëve në pozitat që më parë kishin dhënë dorëheqje.

“Kam biseduar sot me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës ta pranojë atë. Një temë kryesore ishte partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka thënë Chollet.

“Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e karakterit multietnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në kontekstin e Dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në postet e tyre”, ka thënë Chollet.

(Kosova Sot Online)