Si ndodhi vrasja e biznesmenit në kryeqytet

  • A.P /
  • 25 January 2023 - 21:02
Si ndodhi vrasja e biznesmenit në kryeqytet

Pamjet e kamerave të sigurisë ndihmuan hetuesit për identifikimin e Adrew Bodes, personit që është shpallur në kërkim si autor i vrasjes së Edmond Papës në një lokal në Tiranë, transmeton Kosova Sot Online.

Referuar dosjes hetimore , Bode është kujdesur të kryejë vrasjen në mënyrë që të mos identifikohej nga kamerat e sigurisë, por ai është tradhtuar nga një takim që ka pasur me Albano Velon, gjatë kohës që mbanin në vëzhgim lëvizjet e Papës.

Grupi hetimor referuar kamerave të sigurisë ka zbardhur një takim të zhvilluar pranë presidencës në zonën e ish-bllokut mes Andrew Bodes dhe Albano Velos, pasi këta të fundit kanë qenë në ndjekje të makinës me të cilën lëvizte Edmond Papa.

Për vrasjen e biznesmenin në pranga është vënë Albano Velo, si person që ka mbajtur në vëzhgim lëvizjet e viktimës, ndërsa Bode që dyshohet se ka qëlluar për vdekje është shpallur në kërkim. Sipas prokurorisë, Papa është ekzekutuar në shenjë hakmarrje pas vrasjes së Aleksander Sadikajt qershorin e kaluar nga shpërthimi me tritol në makinën me të cilën ai po udhëtonte.

Grupi hetimor ka dyshime se familjarët e Sadikajt po përgatiteshin për të marrë hak për vrasjen e të afërmit të tyre, ndërsa shkak për konflikt është bërë prishja e pazareve të drogës.

(Kosova Sot Online)