Kurti: Kosovës po i kërkohet ta ndryshojë Kushtetutën për Asociacionin
Emisarin sllovak, Miroslav Lajçak ka treguar për bisedën që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti në darkën ku i pranishëm ka qenë edhe kryengociatori Besnik Bislimi dhe ka thënë se ishin pajtuar që të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhet të zbatohen, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kjo u interpretua se Kurti i kishte dhënë një “po” Lajçakut për çështjen e Asociacionit.
Për këtë temë kreu i Qeverisë së Kosovës ka folur edhe sot para gazetarëve, duke lënë të kuptohet se Kosovës po i kërkohet themelimi i një Asociacioni një-etnik e që një gjë e tillë nënkupton se Kosovës po i kërkohet ta ndryshojë Kushtetutën.
Kurti ka thënë se se para 15 viteve ishte kërkuar që Kosova ta shpallte pavarësinë si shtet multi-etnik, derisa tashmë po kërkojnë themelimin e një Asociacioni një etnik.
Lideri i LVV-së ka thënë se një gjë të tillë nuk e duron Kushtetuta e Kosovës.
“Nuk e duron kushtetutshmëria e Republikës së Kosovës asociacionin një etik.Të gjithë serbët në Kosovë duhet të jenë dhe do të jenë të mbrojtur, t’i kenë shanset për zhvillim e për mirëqenie, t’i kenë të drejtat e garantuara me ligj dhe me kushtetutë, mirëpo asociacionet e komunave që janë njësi territoriale, jo vetëm administrative, mbi baza etnike nuk duron kjo kushtetutë.Ata që kërkojnë asociacion një etnik, ata kërkojnë ndryshim të kushtetutës së Kosovës e unë besoj që për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndryshohet kushtetuta e Serbisë”, ka thënë Kurti.
Miroslav Lajçak gjatë një vizite në Beograd me 15 tetor 2020 kishte thënë se për procese të mëdha është e logjikshme që duhet të ndryshojë Kushtetuta. Emisari sllovak kishte thënë se Kushtetuta s’është Bibël.
“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta..Për këtë askush nuk më tha që kjo është e pamundur. Do të thotë, Kushtetuta nuk është Bibël dhe nëse merrem vesh për çështje serioze, normale është, ajo do të duhet të reflektohet edhe në Kushtetutë” kishte deklaruar Lajçak.
(Kosova Sot Online)