Largohet ambasadori që e quante Kosovën pjesë të Serbisë

  • 26 January 2023 - 16:27
Largohet ambasadori që e quante Kosovën pjesë të Serbisë

Në një vizitë lamtumirëse ambasadorin palestinez në Serbi, Muhamed Nabhan e ka pritur të enjten presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilin e ka falënderuar “për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë në marrëdhëniet e ngushta ndërmjet dy vendeve dhe dy popujve gjatë mandatit të tij afatgjatë”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Nabhan ka qenë i lidhur me Serbinë për disa dekada. Ka studiuar në Beograd, fëmijët e tij kanë lindur atje dhe që nga viti 2006, ai ka shërbyer si ambasador i Palestinës.

Nabhan në deklaratat e tij në Beograd vazhdimisht e ka përsëritur se Palestina nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

Në një deklaratë të viteve më parë, Nabhan, vlerësonte se paralelja ndërmjet Gazës dhe Kosovës do të ishte e pa arsyeshme pasi që, siç ka thënë ai “Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, ndërsa Gaza dhe Bregu Perëndimor kurrë nuk kanë qenë pjesë e Izrealit”.
“Kosova nuk e ka fituar statusin e shtetësisë falë vendeve arabe dhe myslimanëve e as falë Izraelit. Arabët kanë mbështetur qëndrimin e Serbisë dhe ende e mbështesin”, thoshte Nabhan.

Megjithatë Izraeli e ka njohur pavarësinë e Kosovës më vonë.

Madje Nabhan thoshte se Serbia s’e ka okupuar kurrë Kosovën.

“Kosova gjithmonë ka qenë pjesë e Serbisë, ndërsa Gaza dhe Bregu Perëndimor kurrë nuk kanë qenë pjesë e Izrealit. Këto janë territore të okupuara, ndërsa Serbia kurrë nuk e ka okupuar Kosovën. Paralelja do të ishte e arsyeshme në rast se serbët do të ishin okupatorë”, ka thënë ambasadori palestinez në një intervistë dhënë medieve në Serbi.

Në takimin e fundit me Vuçiq, Nabhan e ka quajtur atë model se si duhen mbrojtur interesat kombëtare.

E Vuçiq ia kthyer duke thënë se ambasadori Nabhan la gjurmë të thella në shoqërinë serbe me personalitetin dhe punën e tij të palodhur, njoftoi shërbimi për shtyp i Presidentit të Serbisë.

“Si mik i dëshmuar i Serbisë dhe njohës i mirë i kushteve në vendin dhe rajonin tonë, besoj se do të vazhdoni të promovoni bashkëpunimin tonë në të ardhmen, aq sa ju lejojnë mundësitë tuaja”, tha Vuçiq.


(Kosova Sot Online)