Detaje të reja nga takimi Kurti - Lajçak

  • A.P /
  • 26 January 2023 - 17:14
Detaje të reja nga takimi Kurti - Lajçak

Sipas emisarit të BE’së,  Miroslav Lajçak, ai dhe Kurti janë pajtuar që duhet të zbatohen në plotni  të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryeministri sot mbajti një ligjëratë për Asociacionin të cilin nuk pranon ta trajtojë me prioritet. Megjithatë, Kurti është i gatshëm të negociojë për të, njësoj sikurse edhe për planin franko-gjerman.

Zyra e Kurtit, për arsye të panjohura, dje e mohoi se Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajcak, do të takohej me Kryeministrin Albin Kurti, të enjten në mbrëmje.

Ata thanë se ekipi i Lajcak s’ka kërkuar takim.


Por, takimin e zbuloi pas mesnatës diplomati evropian, me një fotografi në një ambient restoranti, ku ai, Kurti dhe zëvendësi Besnik Bislimi kishin pasur darkë me verë dhe “diskutim të sinqertë”.

“U ktheva në Kosovë për diskutimet e sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Besnik Bislimi për hapat e mëtutjeshëm drejt normalizimit të raporteve me Serbinë. Po ashtu, u pajtuam që të gjitha marrëveshjet e arritura më parë në Dialog, duhet të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajcak.

Pjesa e fundit, kjo ku Lajcak thoshte se ishin pajtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, që i bie edhe për Asocacionin e komunave me shumicë serbe, mori vëmendjen më të madhe.

Deri sot, Kryeministri Kurti nuk ishte deklaruar për zhvillimet e fundit, nisur nga takimi i së premtes që ai e pati me pesë diplomatët e Perëndimit. Pas këtij takimi kanë folur të gjitha palët, janë dhënë versione të ndryshme rreth tij, por, Kurti jo.

Kurti s’deshi të fliste as sot para gazetarëve, duke u shprehur pakënaqësi që i kishin zënë derën kur hasi në ta, teksa po dilte nga një forum ekonomik, i mbajtur në Prishtinë. Por, megjithatë iu desh të fliste për atë që e shkroi dje Lajcak. Dhe, nuk e pranoi se postimi i Lajcak  qëndronte, duke i ribërë një analizë marrëveshjes për formimin e Asociacionit.

“Ka insistim nga faktori ndërkombëtar që Asociacioni i komunave më shumicë serbe, ashtu siç është nënshkruar me datën 19 prill 2013 e më pastaj edhe i elaboruar në shtatë kapituj me nënshkrimin e 25 gushtit të vitit 2015 të theksohet më shumë, por ajo marrëveshje është tashmë e theksuar sepse është e vetmja marrëveshje që nga 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Pra në një mënyrë ajo është marrëveshje e theksuar, është e theksuar në kuptimin juridik e kushtetues për shkak se nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Kurti.

Në vazhdim të kësaj, Kryeministri la të kuptohet se kjo temë duhet të trajtohet në bisedime.

“Tash procesi negociator duhet të na shpie përpara. Unë e respektoj konfidencialitetin e bisedimeve, por po e riktheksoj që asnjë nga 33 marrëveshjet nuk mund të ketë prioritet hierakik dhe nenet në propozimin e BE-së kanë numra përpara që do të thotë se kanë renditje”.

Ndërkombëtarët e kanë kthyer Asociacionin në çështjen absolutisht më të rëndësishme, ndërsa Kurti edhe sot, u përpoq të tregojë se të gjitha marrëveshjet janë të barabarta dhe Asociacioni nuk është “më i barabarartë” se të tjerat.

“Marrëveshjet e Brukselit janë të vendosura në një rrafsh horizontal, ndërkaq në anën tjetër këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje nga fundi të sillet i pari si parakusht”, është shprehur Kurti.

Pas shkrimit të Lajcakut, u mor se Kurti veçse ka nisur të bindej për çështjen që ai e ka kundërshtuar më së gjati – formimin e Asociacionit. Për ta përforcuar më shumë qëndrimin kundër, Lëvizja Vetëvendosje shpërndau një pjesë të deklaratës që Kurti e bëri sot para mediave.

Ai la të kuptohet se me këmbënguljen për themelimin e Asociacionit, po kërkohet ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës.

“Ata që kërkojnë asociacion një etnik, ata kërkojnë ndryshim të kushtetutës së Kosovës e unë besoj që për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndryshohet kushtetuta e Serbisë.

Ndërkombëtarët tashmë kanë nisur diskutimet për Asociacionin, ashtu siç kishin paralajmëruar zyrtarët e lartë amerikan, se nëse Kurti dhe Qeveria e tij nuk pranojnë të nisin procedurat, ato gjithsesi se do të nisin, pa miratimin e tyre.

Më 31 janar, në Ambasadën amerikane mbahet një diskutim rreth Asociacionit, ndërsa në mesin e të ftuarve që e ka konfirmuar pjesëmarrjen është edhe ministri i Kurtit, Nenad Rashiq. Ai ka këkruar edhe më herët të formohet Asociacioni, ndërsa Kurti ka thënë se në këtë pikë nuk pajtohen ata të dy.

Kurti nuk e ka pranuar definitivisht as planin franko gjerman për të cilën dikur e akuzonte Vuçiqin se e ka hedhur poshtë. Por, të enjten ai tha se nuk e do këtë plan si dokument të panegociushëm

(Kosova Sot Online)