Si ndodhi vjedhja e rrymës në Prizren

  • A.P /
  • 26 January 2023 - 21:40
Si ndodhi vjedhja e rrymës në Prizren

Pasi u raportua se po vidhet rryma, inspektorët e Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike dhe zyrtarët policor, me shpejtësi nisën aksionin e tyre, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këtë të enjte, një konsumator i cili edhe më herët kishte vjedhur rrymën, sërish i nënshtrohet kontrollit nga KEDS, në fshatin Landovicë të Prizrenit.


Prandaj, ai as kësaj here nuk i mirëpriti zyrtarët të cilët po kontrollonin matësin e shpenzimit të rrymës, për të parë se a po faturohet shpenzimi.

Edhe pse nuk u gjet asnjë shkelje, pronari nuk qe i kënaqur me prezencën e inspektorëve.

Kjo çoi deri në sharje e fyerje ndaj tyre, të cilat i parandaloi Policia duke e arrestuar atë.

Në po të njëjtin fshat të Prizrenit, u detektuan edhe dy konsumatorë të dyshuar për hajni të rrymës.

Inspektorët shkuan në katër shtëpi të cilat furnizoheshin me rrymë e cila nuk ishte e regjistruar.

Në të gjitha shtëpitë ata kryen inspektimet e nevojshme, duke ardhur në përfundim se tash e sa kohë ata nuk paguanin asnjë cent për rrymën që shpenzohej.

Për këtë arsye, punëtorët e KEDS montuan njehsorin e rrymës aty.

Mirëpo, kishte edhe të tillë tek të cilët nuk u gjet asnjë parregullsi.

Tutje, aksioni vazhdoi në fshatin Piranë.

Edhe aty doli se një konsumator po e furnizonte shtëpinë me rrymë me kabllo që nuk ishte regjistruar në njehsor.

Prandaj, ekipet e instaluan njehsorin në shtyllën më të afërt pranë shtëpisë.

Në fshatin Krajk të Prizrenit, një biznesit iu ndërpre energjia elektrike tërësisht pasi që edhe aty u detektua se ka keqpërdorim.

Lëndët e personave që e kanë keqpërdorur energjinë elektrike dërgohen në zyrën ligjore të KEDS e pastaj në gjykatë.

Gjatë vitit të kaluar u realizuan 6990 kontrolle të tilla, 2576 prej të cilave u dorëzuan si lëndë në gjykatë.

(Kosova Sot Online)