
Humori epik i Xhafkës: Po mbledhim lekët për dashnoren e McGonigal

Një portal i madh amerikan raportonte dje se lidhjet e ngushta të agjentit të lartë të FBI, Charles McGonigal me Edi Ramën u ekspozuan kur dashnorja e zemëruar e McGonigal, vendosi ta denonconte pasi ai e la.
Ajo i dërgoi një mesazh drejtuesit të FBI dhe këtu nisi hetimi i agjentëve federalë me foton e Edi Ramës në dorë.
Lajmi ka shkaktuar mjaft bujë në median sociale. Gazetari dhe satiristi Agim Xhafka publikoi një humor që u bë viral.
Lexojeni më poshtë:
Çdo mëngjes gruaja më jep 200 lekë për kafe dhe ujë. Sot i kërkova:
-Dhe 200 të tjera!
-E pse kështu?
-Për dashnoren time.
S’u përmbajt, qeshi me të madhe.
-Pika ty dhe dashnores që ke zënë!
Po nuk e lashë me kaq.
-Shpresa i jep Nestit për dashnoren e tij 500 lekë çdo ditë. Shko pyete, ngjitur e ke.
-Do e ketë më të bukur se kjo tëndja, andaj, po tallej ajo.
-Yll e ka dhe xha Llazi, po 100 lekë i jep se me pension të pakët i ziu, shtova.
E ndërsa po lidhja këpucët, ajo vrik trokiti te dera e Nestit. Për fat i doli Shpresa.
-Ka dashnore Nesti, moj?- e pyeti.
-Po, po, u bënë tre vjet- tha ajo me mburrje. Se mos vetëm ai. Të gjithë burrat e pallatit.
-Po ky imi a e ka ndopak të bukur?
-Yll e kanë të gjithë. Peri moj, peri.
-Si e quajnë?- u egërsua shqiponja ime.
-Ja të pyes. O Nesti, si e quajnë dashnoren tuaj?
-Nuk ja them tamam emrin. E ka të ngatërruar se është e huaj.
-E huaj, foli gruaja dhe pashë që u mbajt te dera. Gati po rrëzohej.
-Eja, eja ta shikosh, sapo doli në televizor, e ftoi Nesti.
U sula dhe unë. Në ekran një gocë veshur me të kuqe. E re si një drenushë pylli. Spikeri lexonte, kjo është e dashura e shefit të FBI-së McGonigal, që mori 225 mijë dollarë nga Shqipëria, blinte dhurata për këtë vajzë, e çonte në restorante të shtrenjta e dhuratat lumë.
Gruaja ngeli pa gojë. Në vend të saj fola unë:
-Ndaj po mbledhim lekë ne burrat. T’ia dërgojmë këtij shefit të FBI-së e t’i lutemi Ramës mos harxhojë më nga buxheti për dashnoret e miqve.
Gruaja nxori 200 lekë, m’i la në pëllëmbë të dorës e shtoi:
-Të fala dashnores!
U qetësua sorkadhja ime, i puliste qepallat sikur e kishte zënë korrenti.
(Kosova Sot Online)