Petritsch: Kurti s’mund ta refuzojë themelimin e Asociacionit

  • A.P /
  • 29 January 2023 - 12:24
Petritsch: Kurti s’mund ta refuzojë themelimin e Asociacionit

Ish i dërguari i BE-së për Kosovën, Wolfgang Petritsch,ka theksuar se marrëveshja me bazë planin franko-gjerman do të ishte “një hap i rëndësishëm drejt normalizimit”,  
transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Propozimi franko-gjerman nuk përcakton një zgjidhje përfundimtare, por është një hap i rëndësishëm i ndërmjetëm në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.Nuk ka njohje zyrtare diplomatike, por sipas modelit të bashkëpunimit gjermano-gjerman, hapa të rëndësishëm duhet të ndërmerren në mënyrë pragmatike në normalizimin e ndërsjellë të marrëdhënieve”, thotë diplomati austriak me përvojë në një intervistë për mediumin serb.

Ai s’ka dyshim se lufta në Ukrainë e ka bërë Berlinin dhe Parisin më aktivë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Petritsch tha se ka ngjashmëri mes marrëveshjes mes dy Gjermanive dhe propozimit në dialogun Kosovë – Serbi, por thotë se ato “janë të kufizuara”.


Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ai thotë se “ka ardhur koha për negociata konkrete”.

“Duhet të respektohen marrëveshjet e dakorduara, kështu që edhe Prishtina duhet ta respektojë atë parim. Kurti mund të thotë se nuk e dëshiron Asociacion në një mënyrë të caktuar, por nuk mund ta refuzojë themelimin e Asociacionit. Parimi i së drejtës ndërkombëtare dhe shteteve juridike është se marrëveshjet e nënshkruara duhet të respektohen edhe nga qeveritë e ardhshme, pa këtë nuk do të kishte marrëdhënie ndërkombëtare”, tha ai.

Petritsch tha se nuk ka frikë që ky asociacion do të mund të bëhej njëfarë Republika Srpska.

“Nuk kam frikë nga kjo, sepse bëhet fjalë për komunat serbe, në ato zona ku mund të menaxhojnë më mirë vetë, duke e marrë atë të drejtë, që të mund të bashkohen dhe që në kuptimin politik, ata bashkërisht i paraqesin kërkesat e tyre në Prishtina”, thotë ai ndër tjerash, duke shtuar se “Kurti duhet të fillojë t’i përkushtohet seriozisht Asociacionit”.

(Kosova Sot Online)