Kush po dëshiron të bëj një Serbi brenda Kosovës?

  • A.P /
  • 31 January 2023 - 16:40
Kush po dëshiron të bëj një Serbi brenda Kosovës?

Sipas Blerim Latifit, strategjia e serbëve është e qartë: të shmangin statusin e pakicës brenda Kosovës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

"Meqë aktualisht Kosovën nuk munden ta kthejnë në Serbi, kanë zgjedhur ta krijojnë një Serbi të tyre brenda Kosovës. Për fatin tonë të keq miqtë tanë perëndimorë duket se janë pro kësaj ideje. Për të na qetësuar, na thonë se Asociacioni do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por njëjtë na thoshin edhe për Gjykatën Speciale se nuk ka të bëj me UÇK-në, por veç me individët. Tani po shihet se nuk është ashtu. Edhe nesër kur do të na dalin probleme sovraniteti me Asociacionin, do të na thonë se "ju e keni krijuar vetë, prandaj duhet ta respektoni", ka shkruar ai.

A do të mundemi ta ndalim Asociacionin?

"Kur e shohim presionin për të, vështirë të thuhet po. Presioni për Asociacionin është po aq i madh sa ishte edhe presioni për Gjykatën Speciale. Mbase edhe më i madh. Dhe në krye të presionit përsëri janë ShBA-të, shteti tek i cili i kemi të varura të gjitha shpresat tona gjeopolitike. Kjo është duke na traumatizuar dhe, rrjedhimisht, edhe duke na e paralizuar aftësinë për të menduar me mendje të kthjelltë dhe pastaj edhe për të vepruar racionalisht.
Bëjeni Gjykatën Speciale ose e bën Rusia në OKB!- na frikësonin dje.
Bëjeni Asociacionin ose do t'iu izolojmë dhe do t'iu braktisim!- na frikësojnë tash. Kjo politikë frikësimi një ditë ka me e traumatizu kët' shtet dhe kët' shoqni dhe atëherë gjithçkaje do t'i humbet kuptimi.
Pse erdhëm në këtë ditë?
Përgjigja në kët' pyetje nuk mund të jipet me pak fjalë. As me anë të një teksti të shkurtër", ka theksuar Latifi.


(Kosova Sot Online)