
Kearns: Qeveria britanike nuk e mbështet krijimin e një enklave serbe në Kosovë

Sot në Parlamentin Britanik, deputetja britanike e cila kryeson edhe Komitetin për Punë të Jashtme, Alicia Kearns ka ngritur çështjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe Asociacionit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kearns ka shkruar se ndjehet e çliruar pasi ka dëgjuar nga përfaqësuesit e Qeverisë britanike se nuk mbështesin krijimin e një enklave serbe në Kosovë.
Ajo ka shtuar se është e rëndësishme që të mos rrënjoset etno-nacionalizmi në Ballkan.
“Shumë e lehtësuar kur dëgjova Qeverinë të konfirmojë se nuk do të mbështesë krijimin e një enklave serbe në Kosovë. E rëndësishme është që ne të mos e rrënjosim më tej etno-nacionalizmin në Ballkan”, ka shkruar Kearns
Në fjalimin e saj Kearns dëgjohet teksa shpreh shqetësim meqë sipas saj përmes propozimit franko-gjerman po synohet krijimi i një enklave në Kosovë në stilin e “Republika Srpskas”.
Pas kësaj ka folur edhe përfaqësuesi i Qeverisë britanike, ministri për Evropën, Leon Docherty duke thënë se e ndan të njëjtin shqetësim me deputeten Kearns sa i përket Asociacionit dhe thotë se s’bëhet fjalë për krijimin e një enklave një-etnike në Kosovë.
(Kosova Sot Online)