Tahiri: Pse Qeveria Kurti nuk po merret fare me Asociacionin?

  • A.P /
  • 01 February 2023 - 22:30
Tahiri: Pse Qeveria Kurti nuk po merret fare me Asociacionin?

Nuk e kam lexuar draft statutin për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të publikuar nga organizata gjermane FES, Friedrich-Ebert-Stiftung, ka thënë ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas saj, problemi kryesor aktualisht lidhet me Qeverinë.

Ish-kryenegociatore e Kosovës në bisedimet me Serbinë u shpreh se qeveria Kurti, duke qenë se e ka bërë kauzë Asociacionin, “tashmë nuk merret fare me këtë çështje.”

 

Siç u shpreh Tahiri, të gjithë në Kosovë po presin tashmë që qeveria dhe vetë Albin Kurti të flasë.

“Nuk e kam shikuar. Jam marrë me këtë proces në kohën e Brukselit kur isha negociatore. Kemi një problem politik në Kosovë që lidhet me qeverinë e Kosovës e cila, duke qenë se e ka bërë kauzë këtë temë, e ka kundërshtuar, i ka premtuar elektoratit që nuk do ta pranojë dhe tani nuk merret fare. Debati tashmë ka mbetur te zërat dhe të ata që nuk kanë mandat. Mandati i Asociacionin si detyrim ndërkombëtar është i qeverisë. Të gjithë po presim që të flasë,” u shpreh Edita Tahiri, shkruan a2cnn.

Po ashtu, sipas ish-kryenegociatores në bisedimet me Serbinë qeveria e Kosovës po “luan” aktualisht në mbrojtje dhe siç u shpreh ajo, në negociata kur qëndron në mbrojtje, je humbës.

“Nuk e dëgjuam fare qeverinë të merrej me planin franko-gjerman që ka mungesë të njohjes reciproke sepse është e kurthuar nga kjo temë e Asociacionit. Nuk po mund ta shtyjë përpara këtë plan. Njohja reciproke është marrëveshja finale që pritet.”

(Kosova Sot Online)