Zbulohet si kamioni me mallra serbo-ruse shpërndau ndihma në Kosovë

  • A.P /
  • 03 February 2023 - 15:47
Zbulohet si kamioni me mallra serbo-ruse shpërndau ndihma në Kosovë

Një kamion i cili po bartte mallra nga Serbia në mënyrë ilegale, Policia e ka ndaluar të hënën në qytezën e Dragashit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 Raportohet se këto ndihma kishin hyrë në Kosovë përmes një kamioni që i përkiste “qendrës humanitare” që gjendet me seli në Nish.

Kamioni ndalesën e parë e pati në Mitrovicën e Veriut. Nuk dihet nëse hyrjen në territorin e Kosovës e kishte bërë nëpërmjet ndonjë pike kufitare apo rrugëve ilegale, por, një kamion me targa nga Serbia, të hënën është futur pa asnjë pengesë në vendin tonë.

Ai po bartte produkte ushqimore dhe higjienike të cilat do t’u shpërndaheshin familjeve në nevojë.

Prapa kësaj ndihme, qëndron Qendra Humanitare me seli në Nish. Kurse, shpërndarjen e mallit do ta bënte Kryqi i Kuq i Serbisë me seli në trevën e Gores.


Pas Mitrovicës, kamioni me mallra ka vazhduar për të njëjtin qëllim në Graçanicë aty është bërë ndërrimi i automjetit, i cili më pas ka vazhduar në Komunën e Dragashit.

Pikërisht në këtë komunë këtij mjeti rruga i mbeti në gjysmë.

Policia e ndaloi atë dhe vërejti se shoferi dhe shoqëruesi i tij kishin mangësi në dokumentacionet e mallrave.

Shaqir Uka, komandant i Policisë në Dragash thotë se për këtë rast janë intervistuar dy ngasësit e automjetit të cilët janë liruar në procedurë të rregullt.

Kurse, nga inspektorati i Tregut në Dragash thonë se malli është konfiskuar për shkak se dy ngasësit nuk kanë arritur të dëshmojnë dokumente mbi prejardhjen e tregut dhe transportin.

(Kosova Sot Online)