Zbulohet pse Kurti shkoj në Stamboll

  • A.P /
  • 03 February 2023 - 16:05
Zbulohet pse Kurti shkoj në Stamboll

Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar të premten drejt Stambollit për ta takuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip  Erdogan, me të cilin pritet që të diskutojnë për raportet bilaterale dhe gjithashtu edhe temat që ndërlidhen me luftën në Ukrainë, dialogun Kosovë-Serbi dhe për situatën në Ballkan, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Atje Kurti ka shkuar bashkë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Sipas orës lokale të Turqisë, Kurti do të pritet nga Erdogan në Pallatin Vahdettin në orën 17:30 ku edhe do të zhvillojnë një darkë pune për dy orë e gjysmë. Pas darkës, të dy do të dalin dhe në një konferencë të përbashkët për media.

Kjo ftesë e Erdoganit për Kurtin vjen një javë pasi presidenti turk e kishte pritur në takim zyrtar kreun e diplomacisë serbe, Ivica Daçiq e me të cilin kishin biseduar për dialogun Kosovë-Serbi dhe për implementimin e marrëveshjeve të Brukselit.

Gjatë tetorit të vitit 2022, këshilltari i Erdogan, Sabri Demiri kishte shprehur gatishmërinë e presidentit të Turqisë për të ndërmjetësuar në dialogun me Serbinë. Siç kishte thënë Demiri, presidenti turk po priste që të shihte se deri ku do të shkojë puna mes Kurtit dhe Vuçiqit dhe pastaj të ndërhyjë.

“Ne tashmë e kemi informuar presidentin Vuçiç për qëllimin tonë për të ndihmuar. Për momentin jemi në pritje të takimeve në Bruksel mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës për të parë se deri ku mund të shkojnë dhe pastaj do të ndërhyjmë si ndërmjetës për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje”, kishte thënë Demiri për Klan Kosova. Vizita e Kurtit në Turqi vjen pasi  ambasadori i Turqisë, Cagri Sakar, ka mbajtur takimet lamtumirëse në përfundim të mandatit të tij në Kosovë.


(Kosova Sot Online)