Abdixhiku: Pagat sot vlejnë 50% më pak se sa para dy viteve

  • A.P /
  • 03 February 2023 - 18:36
Abdixhiku: Pagat sot vlejnë 50% më pak se sa para dy viteve

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar sot një familje që burim të ardhurash kanë pagat nga sektori publik, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Abdixhiku ka thënë se pagat e tyre sot vlejnë 50% se para dy viteve.

Postimi i plotë:


Kafen e mëngjesit këtë të premte e piva me familjen e mrekullueshme të Lulzim e Nesibe Thaqi. Si prindër të tre fëmijëve e në pritje të të katërtit, burim të vetëm të të hyrave kanë pagat që marrin nga sektori publik. Si punonjës shëndetësorë, punë të vetme kanë kujdesin për tjetrin. Janë adresa e parë e secilit me hall. Shteti, ndërsa, punë të vetme duhej ta kishte kujdesin për ta.
Pagat e tyre sot vlejnë 50% më pak, se sa para dy viteve; derisa koeficienti i Qeverisë nuk mbulon as për së afërmi inflacionin rekord që ka goditur familje si kjo. Realiteti i hidhur është se, historia e tyre nuk është e vetme. Kjo histori përballjeje ndahet nga familje të panumërta anembanë Kosovës.
Propozimi ynë për koeficient 125 lehtëson përballueshmërinë e familjeve si kjo. Propozimi ynë për heqje të TVSH-së në produkte bazë - bukë, miell, vaj, sheqer, qumësht e vezë - do të bënte jetën e tyre shumë më të lehtë.

(Kosova Sot Online)