
A e mbështet Erdogan dialogun Kosovë - Serbi

Presidenti turk Recep Tyaip Erdogan ka thënë se shpreson që procesi i dialogut të Kosovës me Serbinë të përfundojë në një mënyrë që do të sigurojë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në rajon, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Erdogan e pohoi këtë në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Stamboll.
Erdogan ka thënë se Turqia i kushton vëmendje të madhe ndërtimit të marrëdhënieve paqësore të Kosovës me fqinjët e saj.
“Ne i kushtojmë vëmendje madhore ndërtimit të marrëdhënieve paqësore të Kosovës me të gjithë fqinjët e saj. Në këtë suazë, ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe presim që palët të demonstrojnë një qasje paqësore dhe konstruktive”, ka thënë Erdogan, raporton Gazeta Express.
Erdogan ka thënë se Turqia është e gatshme të ofrojë mbështetje në këtë proces, nëse kërkohet nga palët.
“Shpresoj që procesi i dialogut me Serbinë, të mbyllet duke e siguruar paqen dhe stabilitetin e qendrueshëm në rajon. Turqia është e gatshme të ofrojë çdo mbështetje të mundshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe të jap kontribut të nevojshëm nëse kërkohet kjo nga palët”, ka thënë Erdogan.
Sipas presidentit turk, angazhimi i Turqisë do të vazhdojë për të forcuar marrëdhëniet e mira me Kosovën.
“Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim për të fortifikuar raportet tona vëllazërore me një Kosovë të begatë, e cila do të ishte garancia e paqes dhe stabilitetit”, ka deklaruar ai.
(Kosova Sot Online)