Kurti: Serbia i shikon Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi si shtete të përkohshme

  • A.P /
  • 03 February 2023 - 23:01
Kurti: Serbia i shikon Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi si shtete të përkohshme

Se sonte ka zhvilluar një intervistë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur gazetarja e televizionit turk TRT, Nafisa Latic, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Megjithatë, gazetarja ka shpalosur disa prej deklaratave të Kurtit, i cili, sipas saj, ka deklaruar se nuk do ta lejojë kurrë formimin e një modeli si Republika Srpska në Kosovë.


“Në një intervistë ekskluzive për Across The Balkans, kryeministri i Kosovës ka thënë se do të vazhdojë të jetë pjesë e takimeve të nivelit të lartë për propozimin e BE-së dhe SHBA-së, por nuk do ta lejojë kurrë formimin e një tjetër Republika Srpska”, ka shkruar gazetarja Latic.

Ajo ka thënë se gjatë intervistës, Kurti para saj ka deklaruar se Serbia i sheh ende Bosnjën, Kosovën dhe Malin e Zi si shtete të përkohshme.


Kryeministri Albin Kurti është pritur sot në një takim nga presidenti turk, Recep Tayip Erdogan, me të cilin kanë diskutuar mbi situatën aktuale në Ballkan dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Erdogan ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur vullnetin për të ndihmuar, nëse kjo gjë kërkohet nga palët.


(Kosova Sot Online)