Si u pasurua brenda 6 vitesh ish-zyrtarja e njohur shqiptare

  • A.P /
  • 04 February 2023 - 17:45
Si u pasurua brenda 6 vitesh ish-zyrtarja e njohur shqiptare

Mbrëmjen e djeshme është arrestuar iush-zyrtarja e Kryeministrisë, Alda Klosi.

Alda Klosi është arrestuar pas një dëshmie të pastrueses Rozeta Dobi. Kjo e fundit i vodhi ish-zyrtares 120 mijë euro.

Mësohet se ndaj Klosit rëndojnë akuzat për veprat penale të pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penale.

Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Alda Klosit ditën e djeshme nga policia e Tiranës. Pastruesja 49-vjeçare ka rrëfyer para hetuesve duke thënë se ka parë shumë para gjatë kohës kur punonte si pastruese në shtëpinë e ish-zyrtares. “Kam parë shumë para, kam pastruar shumë shtëpi. I shikoja shpesh nëpër kuti, m’i la t’i fshihja”, mësohet të ketë thënë ajo.

Gjatë dëshmisë së saj Rozeta Dobi është shprehur se gjatë kohës që punonte si pastruese ka parë shumë para në atë banesë.

“Paratë vinin që nga viti 2021. Unë nuk kam dijeni kush i sillte, por paratë vinin në çantë. Në dhjetor 2022 Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Ditën që i mora me çantë i mora nga kasafortë, pasi Alda nuk ishte në shtëpi. Më tha ajo vetë merri në kasafortë. Ngjarjen e vjedhjes e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin”– mësohet të ketë thënë ajo.

Zyrtarisht sipas Policisë së Tiranës Alda Klosi është e dyshuar për veprat penale; “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Me kalimin e viteve pasuritë e Alda Klosit pësuan ndryshime të mëdha.

Tashmë e divorcuar, Alda Klosi bëhet papritur pronare e dy apartamenteve banimi në Lezhë, me vlerë gati 8 milion lekë që të dy.
Në të njëjtin vit ajo shlyen kredinë e marrë në 2017 për blerjen e apartamentit në Tiranë, dhe bëhet pronare me te drejta të plota.

Ndërkohë në vitin 2022, Alda Klosi deklaron se ka përfituar tre pasuri si trashëgimi ligjore nga familja. Por teksa ka deklaruar pronat e marra nga trashëgimia, ajo nuk ka bërë asnjë deklaratë për të paktën 120 mijë eurot e vjedhura në shtëpi.

Prokuroria Pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, më datë 27.12.2022 ka regjistruar procedimin penal nr. 9220 viti 2022 për veprën penale “Vjedhja” e pasurisë që ka sjellë pasoja të rënda parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i K. Penal, në ngarkim të shtetasve Rozeta Dobi dhe Havier Dobi.


(Kosova Sot Online)