Ja kush propozon që paga minimale në Kosovë të jetë 500 euro

  • A.P /
  • 04 February 2023 - 17:55
Ja kush propozon që paga minimale në Kosovë të jetë 500 euro

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e fundit të qeverisë, ka theksuar se projektligji për Pagën Minimale, pritet të sillet në Kuvend shumë shpejt, për lexim të dytë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Së shpejti presim që ta kemi në lexim të dytë Ligjin për Pagën Minimale, sepse pjesa më e madhe e qytetarëve tanë janë të punësuar në sektorin privat”, pati thënë kryeministri Kurti.

Projektligji në fjalë, në lexim të parë ka shkaktuar pakënaqësi qysh në fillim të tij, ku ndër të tjera nuk parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve të luftës, ashtu siç është aktualisht.

Partitë opozitare patën kërkuar që paga minimale neto të rritet në 370 euro, ndërkohë që projektligji i ri parasheh që paga minimale të rritet në 250 euro neto.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se kjo nuk është e mjaftueshme.

“Ne së pari nuk besojmë që ai ligj mund të sillet shumë shpejt në Kuvend. Pasi dihet që sipas vendimit që paga minimale është e lidhur me pagën e veteranëve të luftës, aty sigurisht që qëndron problem”.

“Po e përsëris, që të bisedohet për pagën 250 euro është si të bisedohet për borën e parvjetme, e që në një formë neve nuk na hyn asgjë në punë tani për tani me gjithë këtë inflacion, me këtë rritje të shpenzimeve dhe ikje jashtë, mendoj që gjithkush që bisedon nën pagën 500 euro, është diçka e kotë dhe nuk duam të merremi me të”, ka thënë Azemi.

(Kosova Sot Online)