Skandali “McGonigal-Rama”/ Ervin Karamuço zbulon vizitën dhe takimin me agjentët e FBI në Shqipëri: Nuk e dija që do hetonin edhe...

  • E.K /
  • 08 February 2023 - 10:28
Skandali “McGonigal-Rama”/ Ervin Karamuço zbulon vizitën dhe takimin me agjentët e FBI në Shqipëri: Nuk e dija që do hetonin edhe...

Eksperti i Kriminalistikë, Ervin Karamuço ka treguar me detaje sesi kanë nisur hetimet për ish-agjentin e FBI, Charles McGonigal. Sipas Karamuços, në SHBA i gjithë stafi i FBI-së kontrollon njëri-tjetrin.

Ai thekson se në rastin e McGonigal, kontaktet kanë qenë pak më sensitive, pasi ai nuk ka qenë një agjent special i caktuar për një distrikt të thjeshtë.

“Mënyra amerikane është një mënyrë që i gjithë stafi i FBI-së kontrollojnë njëri-tjetrin, pra kanë një kontrollim dhe balancim brenda këtyre institucioneve. Kontrollojnë njëri-tjetrin dhe kanë një balancë mes tyre brenda këtyre institucioneve.

Ka të bëjë me interesa kombëtar se po flasim për shërbime ligjzbatuese që janë të kuadrit inteligjent. Dhe çdo kërkesë, çdo nevojë, çdo shkëmbim informacioni gjithmonë mund të vihet në dyshim. Ata e kanë pranuar që gjithë kohës mund të survejohen. Mund t’u kontrollohen celularët, emailet, lëvizjet.

Kontaktet e McGonigal kanë qenë pak më sensitive, nuk ka qenë një agjent special i caktuar për një distrikt të thjeshtë. Ka qenë ne distriktin e Neë York-ut që ka lidhje me OKB-në, ka lidhje me një shpurë të madhe diplomatike. Është privilizuar për katër elementë kryesorë: e para dyshohet si përdorues i lëndëve narkotike, e dyta për probleme të imoralitetit dhe tradhtisë së kurorës, e treta ka të bëjë me mashtrimin. E katërta, ka qenë historia e periudhës së daljes së tij në pension. Gjithmonë këta shpengohen më shumë, kërkojnë mënyra të tjera për të siguruar të ardhura të tjera”, tha Karamuço në një intervistë në TCH.

Profesor Karamuço tregon për takimet që ka pasur me agjentë të FBI-së vitin e kaluar, të cilët sipas tij ata kishin ardhur pikërisht për çështjen “McGonigal”.

“Ata erdhën si agjentë, por nuk u prezantuan si të tillë, u prezantuan si përfaqësues të qeverisë amerikane që vinin për të parë ndikimin rus në Shqipëri. Ka qenë vjet. Kanë takuar njerëz që flasin publikisht për ndikimin rus në Ballkan, jo vetëm në Shqipëri. Kanë pasur takim me gazetarë, shoqëri civile dhe akademikë. Dhe unë nuk e dija që këta hetonin për këtë çështje.

Vetëm në artikullin e Neë York Times para katër ditësh, njëri prej tyre tregoi se për çfarë kishte ardhur në Shqipëri, që ishte për dosjen McGonigal dhe me rastin shqiptar. Ai përmend këtë, por tani nuk është në FBI”, tha eksperti.

Eksperti zbulon mënyrën e veçantë si e kanë bërë agjentët hetimin në vendin tonë:

“Shkolla e madhe amerikane ka metoda komplet të tjera nga ato që njohim ne. Ata kanë hollësitë, i kanë të gjitha në dosje dhe vijnë të bëjnë faktmbledhje duke të pyetur për çështje shumë të përgjithshme. Asnjëherë nuk dalin në hollësi, sepse ti nëpërmjet hollësive kupton se me çfarë po merren ata. Por ndërkohë ata bëjnë një kryqëzim në fund dhe shohim çfarë thonë të gjithë këta faktorë publikë, për ndikimin e rusit, e faktorëve të tjerë që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Ata bëjnë thjesht kryqëzimin e të dhënave dhe dalin në një konkluzion dhe dalin më pas me raporte ose aktakuza të mirëfillta që ia përcjellin me referim pastaj prokurorit federal për çështje nga më të ndryshmet, sikurse ishte McGonigal”.

Opozita në vend ka depozituar kërkesën në SPAK që të marrë në hetim çështjen, ndërsa pretendon se janë një sërë faktesh që lidhen me të paktën 5 takime të fshehta të zhvilluara mes kryeministrit Rama dhe  McGonical, në praninë e dy personave të tjerë që kanë bashkëpunuar dhe vepruar në emër të Ramës, përfshirë përmes mitmarrjes së shumës së 225 mijë dollarëve për të ndikuar në zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri. I se deri ku mund të shkojë SPAK nëse e kryen një hetim të tillë, Karamuço përgjigjet:

“SPAK nuk është asgjëkundi deri më tani dhe nuk mund të shkojë askund për shkak se nuk ka një fakt juridik. Ky fakt juridik vjen nga një aktakuzë e mirëfilltë me letërporosi ndërkombëtare, vjen nga Departamenti i Drejtësisë”.

(Kosova Sot Online)