Lëvizja vetëm me letërnjoftime dhe njohja e diplomave, Kosova bën një hap përpara
Qeveria e Kosovës sot ka miratuar projektligjet që ndërlidhen me Procesin e Berlinit dhe marrëveshjet e nënshkruara për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale.
“Projektligjet për ratifikimin e Marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale të Mjekëve, Stomatologëve dhe Arkitektëve dhe Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Këto projektligje duhet të marrin dritën jeshile edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kosova në rajonin e Ballkanit Perëndimor problemin e vetëm për lëvizjen e lirë e ka me Bosnje e Hercegovinën, shtet ky që vazhdon të kërkojë viza për kosovarët.
Ndërkohë duhet që marrëveshja e njëjtë të ratifikohet edhe në Kuvendin e Bosnje e Hercegovinës për t’u mundësuar më pas lëvizja mes Kosovës dhe Bosnjës vetëm me letërnjoftime.
(Kosova Sot Online)