
Blazeviç: Tre 'banditë' më dhanë besën se do të më çonin në Prishtinë

Ka vdekur sot në moshën 87 vjeçare në Zagreb, ish -futbollisti Miroslav “Ćiro” Blazeviç që më vonë gjatë karrierës së tij u njoh me nofkën “Trajneri i të gjithë trajnerëve”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ai kohë më parë ka rrëfyer diçka interesante për momentin e transferimit në Klubin e Prishtinës, në vitin 1986. Në një intervistë të dhënë para tre vitesh në një medium në gjuhën serbe, Blažević thotë se fillimisht e kishin kontaktuar tre persona.
“Unë as që e njihja Prishtinën, por erdhën tre zotërinj, ishin “banditë” të vërtetë, dhe thanë se e kishin dhënë besën se do të më çonin në Prishtinë. E di se çfarë është besa, por nuk i mora menjëherë seriozisht. Këmbëngulja dhe siguria e tyre se vetëm unë mund t’i ndihmoja të evitonin rënien nga liga, më futi në disa dyshime. Por në fund pranova dhe nuk u pendova.
Por, kush ishin këta persona?
“Nga klubi nga klubi. Ndoshta nga klubi. Por edhe nga Komiteti. Asokohe Komiteti ishte kryesori” ka shpjeguar trajneri i famshëm.
Kroati Blažević gjatë karrierës së tij ka udhëhequr shumë klube dhe reprezentacione. Kulmin e suksesit të tij e kishte arritur me kombëtaren kroate në Botërorin e vitit 1998 kur Kroacia ishte radhitur e treta në botë.
(Kosova Sot Online)