Kosovarët ende në pritje për t’u furnizuar me pasaporta

  • A.P /
  • 09 February 2023 - 16:40
Kosovarët ende në pritje për t’u furnizuar me pasaporta

Kosova është duke u përballur me mungesë të materialit për prodhimin e dokumenteve personale, nga fundi i shtatorit të vitit të kaluar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Si rrjedhojë, me mijëra kosovarë kanë mbetur pa u pajisur me pasaporta.

Ndonëse si afat për zgjidhjen e këtij problemi ishte dhënë janari e shkurti, pritjet po vazhdojnë ende. Nga Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdojnë të heshtin për këtë çështje.


Me mijëra kosovarë janë në pritje për t’u furnizuar me pasaporta. Aplikimet për këtë dokument i kanë dorëzuar që nga shtatori, por ende s’janë pajisur me to, ndonëse është thënë që materiali ka arritur në fund të janarit.

Për më keq, s’dihet as se kur do të pajisen. Nga Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdojnë të heshtin për këtë problem. 


Nga partia në pushtet, thonë se ky është problem global, ani pse s’ka pasur ndonjë raportim se ndonjë shtet tjetër po përballet me problemin e njëjtë.

“Ka telashe, por është problem kogja global. Po, po edhe në Evropë kish të tillë problem, fatkeqësisht”, ka thënë mbrëmë deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj.

Me këtë deklaratë të Rexhajt janë tallur nëpër rrjete sociale, që nga mbrëmë.

Kërkesa që Sveçla i bëri Gjermanisë

Në mungesë të materialit për pasaporta, Ministri Xhelal Sveçla i ishte drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, me një kërkesë. Ai kishte kërkuar që të lejohet qarkullimi i shtetasve kosovarë (që kanë leje qëndrimi) me pasaporta të skaduara.

Nga MPB s’janë përgjigjur kur janë pyetur nëse Sveçlës i është kthyer përgjigja për këtë kërkesë. 

Lidhur me kërkesën e Sveçlës, para gati një muaji folur nga ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

MPB’ja gjermane ka thënë se Gjermania i njeh pasaportat që kanë vlefshmëri deri në dhjetë vite në linjë me udhëzimet globale të “ICAO-s”, por se po e shqyrtojnë edhe kërkesën e Kosovës.

“Ministria Federale e Punëve të Brendshme dhe Komuniteteve ka pranuar kërkesën nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Gjermania njeh pasaportat me vlefshmëri deri në dhjetë vjet në përputhje me udhëzimet globale të ICAO. Megjithatë, kërkesa nga Kosova është ende në shqyrtim”, kishin thënë nga Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë.

(Kosova Sot Online)