Skandali Rama-McGonigal/ Gazeta BILD: Tërmeti ndjehet deri në Berlin

  • E.K /
  • 10 February 2023 - 15:18
Skandali Rama-McGonigal/ Gazeta BILD: Tërmeti ndjehet deri në Berlin

Gazeta gjermane Bild i ka kushtuar një artikull të gjatë skandalit McGonigal-Rama.

Bild shkruan se njeriu i Ramës, Dorian Duçka është personi kyç në këtë çështje dhe po ky është njeriu që mban lidhjet e kryeministrit të Shqipërisë me politikanë gjermanë.

Më poshtë pjesë nga shkrimi i Bild:

Një shef i korruptuar i FBI-së në Nju Jork, një oligark rus i sanksionuar dhe një aferë ryshfeti në Tiranë, shkaktojnë një tërmet ballkanik që arrin deri në Gjermani!

Një thriller i vërtetë politik dhe agjenturor për fondet e dyshimta, seksin, udhëtimet sekrete, miqtë rusë, licencat e naftës dhe politikën e madhe!

Në qendër: Ish-agjenti i FBI-së dhe shefi i kundërzbulimit në policinë federale amerikane, Charles McGonigal 54 vjeç dhe një lidhje me Shqipërinë që të çon në pallatin e qeverisë në Tiranë, në afërsi të kryeministrit Edi Rama 58 vjeç: tek miku dhe këshilltari i ngushtë Dorian Duçka.

Dorian Duçka është personi i kontaktit të Ramës për politikanët gjermanë! Ai ka kontaktuar edhe politikanë dhe gazetarë në Berlin për vende të tjera. Thuhet se Duçka thjesht i ka dhënë ryshfet njeriut të FBI-së për llogari të qeverisë shqiptare, sipas drejtësisë amerikane.

Ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Sri Lanka në janar, kur prangat i vunë në aeroportin JFK të Nju Jorkut. Ish-agjenti tani do të gjykohet – dhe akuzat dhe dosjet gjyqësore janë të vështira!

Sepse njeriu i FBI-së nuk ishte kushdo: McGonigal dikur ishte përfshirë në hetimin e informatorit të "Ëikileaks" Chelsea Manning. Ai ndihmoi në kërkimin e një nishani kinez brenda CIA-s dhe nisi hetimet për lidhjet e dyshuara me Rusinë të ekipit të fushatës së Donald Trump  në vitin 2016 ("Operacioni Crossfire Hurricane"). Në përgjithësi, amerikani është një nga oficerët më të lartë federalë të zbatimit të ligjit që është paditur ndonjëherë.

Para se të tërhiqej në vitin 2018, ai kishte drejtuar kundërzbulimin në zyrën e FBI-së në Nju Jork: ai supozohej të gjurmonte tradhtarët në radhët e tij dhe të rekrutonte vetë spiunë të mundshëm. Por McGonigal, të paktën sipas gjyqësorit amerikan, me sa duket donte punë fitimprurëse me kohë të pjesshme. Në dy aktakuza në gjykatat federale - një në Distriktin e Manhatanit në Nju Jork (pesë akuza), e dyta në Uashington D.C. (nëntë pika) – renditen aktivitetet e tij të dyshuara të paligjshme.

Sipas FBI-së, shoku i Ramës, Dorian Ducka, këtu në një ekspozitë me foto të Ramës në Mynih, ka mbajtur lidhje me McGonigal.

Një fije e kuqe kalon nëpër dosje: McGonigal kishte keqpërdorur rolin e tij brenda FBI-së, duke përfshirë kontaktet, për lobim sekret:

Sipas dosjeve dhe raportimeve në media, ai mori detyra me Agron Nezën, një ish-agjent i Sigurimit komunist shqiptar që drejton një kompani në Nju Xhersi dhe këshilltarin dhe mikun e Ramës Dorian Ducka, por nuk i raportoi.

(Kosova Sot Online)