Kurti: Si ‘Zajednicë’ pati nisur dhe ‘Republika Srpska’ në Bosnjë

  • A.P /
  • 10 February 2023 - 16:47
Kurti: Si ‘Zajednicë’ pati nisur dhe ‘Republika Srpska’ në Bosnjë

Si ‘Zajednicë’ pati nisur dhe ‘Republika Srpska’ në Bosnjë dhe Hercegovinë, ka theksuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti, pas homazheve që bëri te pllaka përkujtimore e dy të rënëve gjatë demonstratës së organizuar më 10 shkurt 2007 nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, ka thënë se “këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por Serbia”.

“Kurrë nuk ka qenë më e diskutueshme nëse ia ka vlejtur komunat mbi baza etnike. Prandaj Beogradi zyrtar me kaq nervozë kërkon Asociacion të tyre. Si ‘Zajednicë’ komunash patë nisur dhe ‘Republika Srpska’ në Bosnjë dhe Hercegovinë, jam i bindur që këtë nuk e duan serbët e Kosovës, por Serbia”, tha Kurti.

Tutje, ai theksoi se Kosova më shumë ka nevojë për demokraci, e ndër aspektet e rëndësishme të demokracisë, siç tha ai, është pluralizmi politik.

“Te komuniteti serb në Kosovë, njëmend nuk ka pluralizëm politik. Mirëpo, ai po lind me qeverisjen tonë demokratike e progresiste. Prandaj Serbia është në panik. Duan që t’i bëjnë bashkë 10 kryetarë komunash që i dirigjojnë ata, ta shpallin një president ‘Zajednice’ dhe me atë ta shkelin ministrin e Qeverisë tonë, nga radhët e komunitetit serb. E padrejtë dhe e gabueshme. E dëmshme dhe e papranueshme”, ka thënë Kurti.


(Kosova Sot Online)