Braçe sulmon Ramën: Qeveria e korruptuar. Kandidatë për deputetë apo kryetarë bashkie blejnë vota!

  • E.K /
  • 11 February 2023 - 09:27
Braçe sulmon Ramën: Qeveria e korruptuar. Kandidatë për deputetë apo kryetarë bashkie blejnë vota!

Deputeti socialist Erion Braçe thotë se korrupsioni në qverisje është një problem i madh prej 33 vitesh. 

Në Intervistën për A2CNN me Merita Haklaj, ai thotë se ky është një fenomen i qëndrueshëm i Shqipërisë për të cilin, përtej modernizimit, duhet të veprojë drejtësia.

Sipas tij, funksionimi i drejtësisë është domosdoshmëri për luftën ndaj këtij fenomeni.

“Korrupsioni nuk është problem i qeverisë, është problem madhor në qeverisje. Shqipëria ka një problem konstant me korrupsionin në 33 vite dhe kjo e ka bërë një fenomen të qëndrueshëm në segmente të ndryshme te qeverisjes e ka bërë edhe kulturë veçanërisht në shërbime. Drejtësia është elementi kyç për të luftuar korrupsionin përtej modernizimit. Modernizmi redukton por nuk e zhbën përfundimisht dhe nuk ka pasur askund të fundme për korrupsionin. Kudo ka betejë me korrupsionin dhe është e rëndësishme të kalojnë në shina paralele modernizim dhe ndarje të kontaktit të nëpunësit dhe politikanit që merr vendime për ty biznesin e shërbimet e tua. Sa më shumë modernizohet kjo marrëdhënie përmes sisteme transparente e ligjore aq më shumë do të reduktohet korrupsioni. Është dhe dega tjetër ajo e ndëshkimit që duhet të funksionojë maksimalisht për të sjellë forcën e shembullit. Kur nuk ka vendimmarrje politike që ndëshkon korrupsion, duhet të funksionojë drejtësia, është domosdoshmëri”.

Përgjegjës për korrupsionin bëri edhe të gjithë ata deputetë, kandidatë për deputetë e kryetarë bashkie që blejnë vota me para korrupsioni dhe janë të pandëshkueshëm.

Por në cilësinë e deputetit dhe konkurrencës me ta ai tha se do të bindë njerëzit që të mos jepen pas parave që derdhen lumë për shkak të mos ndëshkueshmërisë.

“Çfarë janë këta deputetët apo kandidatë për deputetë apo kandidatë për kryetarë bashkie që blejnë vota janë njerëz që disponojnë para në rrugë informale, korrupsioni apo shmangie fiskale tatimesh e taksash. Janë të pandëshkueshëm ata. Konkurroj unë dot me ta? Jo, asnjëherë. Unë do bëj një sforco të madhe në fushatë të shkoj nga 2-3 herë në ato fshatra për të krijuar korrelacionin me ata njerëz që ata të mos i jepen e parasë që derdhet lumë  për shkak të mos ndëshkimit nga strukturat e drejtësisë. Kjo e deformon demokracinë, mungesa e drejtësisë kundrejt parave të paligjshme e evazionit fiskal”.

Kritik u shpreh edhe ndaj partive, që sipas tij nuk janë imune ndaj korrupsionit, pasi kërkojnë kandidatë që fitojnë me çdo kusht.

“Partitë nuk janë imune. Nuk di ta kem thënë kund që partitë janë imune në raport me korrupsionin, përkundrazi partitë janë shumë të hapura ndaj një kandidati që fiton me çdo kusht dhe çdo çmim. Unë i çmoj shumë mjekët por në aspektin menaxherial mund të jetë një në 10 mijë i tillë që të jetë edhe menaxher i mirë përveç se mjek i mirë i ditur dhe që shërben. Si e shpjegoni ju që kandidojnë mjekë kohë pas kohe. Si deputet i kuptoj por si drejtues pushteti vendor si. Kemi patur kryeministër por këta janë thjesht magnet votash por me pasojë në fund që mund të jetë një dështim por siç funksionojnë lekët funksionojnë dhe të tjetër; një biznesmenë që ka numër punëtorësh. Monopolizimi i ekonomisë i sipërmarrjes në disa duar të ngushta që ne e njohim si punëdhënësi i vetëm ka derivim të qartë te demokracia. Në kushtet kur nuk ke instrument mbrojtës për punëtorit vërja në varësi të atij që i jep rrogën kushtëzon edhe votën e tij në zgjedhjen dhe kjo është një nga format që shfaqet kohë pas kohe në këtë vend. Të mos marrë përmasë dhe kjo formë është konkurruese me ata që disponojnë para korrupsioni dhe para të zezë dhe në fund hapësira për të tjetër që duan të merren me politikë të ndershme janë të kufizuar”./ A2

(Kosova Sot Online)