BILD: Rama përdori FBI-në që Berisha të shpallej non-grata

  • E.K /
  • 11 February 2023 - 09:41
BILD: Rama përdori FBI-në që Berisha të shpallej non-grata

Gazeta gjermane BILD shkruan se Edi Rama përdori FBI-në për të shpallur ‘non-grata’ Sali Berishën. Sipas Bild, Rama, nëpërmjet Dorian Duçkës ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të zyrës së Nju Jorkut, Charles McGonigal për të hapur hetim dhe ndikuar në shpallej non-grata të Sali Berishës. Më tej, në artikullin me titullin “Tërmetet ballkanike ndjehen në Berlin”, BILD shkruan se, Dorian Duçka personi që korruptoi agjentin e FBI në SHBA është gjithashtu pika lidhëse e Edi Ramës me politikanët gjermanë

Gazeta gjermane BILD ka publikuar një artikull këtë të premte, ku shkruan se kryeministri Edi Rama përdori FBI-në për të shpallur ‘non-grata’ në SHBA, Sali Berishën.

Sipas Bild, Rama, nëpërmjet Dorian Duçkës ka korruptuar shefin e kundërzbulimit të zyrës së Nju Jorkut, Charles McGonigal për të hapur hetim dhe ndikuar në shpalljen ‘non-grata’ të Sali Berishës.

“FBI-ja hetoi ish-presidentin e Shqipërisë Sali Berisha dhe SHBA e futi atë në një listë të personave ‘non-grata’. Thuhet se McGonigal është aktivizuar edhe politikisht për të punuar për Edi Ramën: njeriu i FBI-së jo vetëm ka marrë ryshfet, por ka iniciuar edhe hetime nga FBI kundër kundërshtarëve politikë të Ramës. Gjatë kësaj kohe është vendosur edhe ndalim i hyrjes për ish-Presidentin dhe kundërshtarin e Edi Ramës, Sali Berisha në SHBA. Me sa duket falë edhe McGonigal, i cili po hetonte një shtetas amerikan që kishte lobuar për partinë opozitare shqiptare”.

Gjithashtu, gazeta gjermane thekson faktin se në këmbim të këtyre favoreve, qeveria e drejtuar shqiptare e kryeministrit Edi Rama, e ka shpërblyer ish-agjentin e FBI me licenca në fushën e naftës.

“Dikur një takim me Ramën thuhet se ka qenë për çështjen e licencave të naftës. Si Neza ashtu edhe Duçka thuhet se kanë pasur ‘interesa financiare’ në licencim. Licencat jepen: nga shteti shqiptar. Organizuar nga Duçka dhe miq të tjerë të Ramës. Një gjë është e sigurt, siç raportoi New York Times, pak pasi McGonigal u takua me Ramën, një kompanie të lidhur me njeriun e FBI-së, iu dha kontrata për një koncesion nafte”

BILD shkruan gjithashtu se ky tërmet ballkanik arrin deri në Gjermani, duke iu referuar lidhjeve politike që ka Dorian Duçka në Berlin, i cili ka qenë personi kyç për të korruptuar dëshmitarë kundër Sali Berishës dhe kundërshtarëve të tjerë politikë të Edi Ramës në Shqipëri.

“Dorian Duçka është personi i kontaktit të Ramës për politikanët gjermanë! Ai ka kontaktuar edhe politikanë dhe gazetarë në Berlin për vende të tjera. Thuhet se Duçka thjesht i ka dhënë ryshfet njeriut të FBI-së për llogari të qeverisë shqiptare, sipas drejtësisë amerikane”.

Skandali i Charles Mcgonigal, është duke u hetuar gjerësisht nga drejtësia amerikane por edhe në Kongres.

(Kosova Sot Online)