Mediat njujorkeze: McGonigal, edhe me Ramën, edhe me oligarkun rus

  • E.K /
  • 11 February 2023 - 10:54
Mediat njujorkeze: McGonigal, edhe me Ramën, edhe me oligarkun rus

Që kur shpërtheu skandali i Charles McGonigal, disa nga mediet më të mëdha në SHBA kanë vënë theksin te një fakt: McGonigal punonte edhe për llogari të Edi Ramës, por edhe për llogari të një oligarku rus.

Dikush mund të thotë se këto raste nuk kanë lidhje, por ‘New York Times’ shkruante se Edi Rama hiqet si një reformator, i cili është kundër luftës në Ukrainë, por njeriu që kishte korruptuar, punonte për një njeri të afërt të Vladimir Putin.

Edhe gazeta tjetër e Nju Jorkut, ‘New York Post’, e vë theksin pikërisht te kjo situatë, kur McGonigal punon edhe për një udhëheqës që është kundër luftës në Ukrainë, por edhe për një oligark të njeriut që ka ndezur luftën në Ukrainë.

Duke raportuar për seancën e ditës së enjte kundër Charles McGonigal në një gjykatë në Manhatan, gazeta shkruan:

“Gjykatës iu paraqitën prova për t’u përdorur në gjyq, të cilat përfshijnë mesazhe telefonike, drafte kontratash, emaile nga të pandehurit që diskutonin për Deripaskën, të dhëna financiare dhe fotot e survejimit që tregonin të pandehurit duke u takuar me Agjentin 1.

Të dy të pandehurit do të dalin sërish para gjykatës më 9 mars.

McGonigal akuzohet gjithashtu se ka marrë 225 mijë dollarë ryshfet në para nga një spiun shqiptar i paidentifikuar, me të cilin ai u takua në vitin 2017, kur paralajmëroi kryeministrin e vendit për dhënien e licencave për shpimin e fushave të naftës te kompanitë ruse.

Prokurorët pretendojnë se McGonigal e përdori spiunin si një burim konfidencial për një hetim penal për një lobim, pa zbuluar te zyrtarët e inteligjencës lidhjet e tij financiare me burimin.

Pavarësisht lidhjeve të tij më lidershipin e Shqipërisë, që kundërshton konfliktin e udhëhequr nga Rusia në Ukrainë, McGonigal pranoi shpejt punën nga Deripaska, i cili u sanksionua pasi akuzohet se vepronte në emër të Kremlinit, sipas Ministrisë së Drejtësisë.

Sanksionet kundër Deripaskës u hoqën në vitin 2019 dhe miliarderi rus më pas punësoi McGonigal dhe Shestakov për të hetuar një oligark rival, sipas federalëve.

Dyshja u padit përfundimisht në janar për komplot për të kryer pastrim parash dhe shkelje të Aktit Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente.

McGonigal i ka mohuar akuzat dhe është deklaruar i pafajshëm. Ai u lirua me një garanci prej 500 mijë dollarësh,” shkruan gazeta.

(Kosova Sot Online)