Policia zbulon edhe disa laboratorë droge në Veri

  • A.P /
  • 12 February 2023 - 17:50
Policia zbulon edhe disa laboratorë droge në Veri

Për operacionin “Shpata”, që u realizua në tri lokacione në rajonin e Mitrovicës së Veriut, policia e Kosovës ka dhënë detaje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pasi ministri Xhelal Sveçla njoftoi për një laborator të zbuluar droge në atë pjesë, Policia ka treguar se ky operacion ka rezultuar me zbulimin edhe të dy laboratorëve tjerë.

“Gjatë realizimit të këtij operacioni antidrogë është arritur të zbulohen tre (3) laboratorë me bimë narkotike; dy laboratore me rreth 1200 bimë narkotike, si dhe laboratori i tretë (pa bimë) me pajisje të sofistikuara për kultivim të bimëve narkotike në të”, njoftoi Policia.

Njësitet policore arritën t’i arrestonin dy të dyshuar serbë, ndërsa thuhet se “të gjitha veprimet tjera policore në proces po ndërmerren dhe do të ndërmerren ne bashkërendim me organet e drejtësisë”.


“Policia mbetet fuqishëm e përkushtuar në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale në vend, në veçanti luftë e pa kompromis do të zhvillohet ndaj personave apo grupeve kriminale që merren me abuzimin, posedimin, kultivimin apo trafikimin e substancave narkotike (drogave) në përgjithësi”, u tha në njoftimin e Policisë.

Paraprakisht, për operacionin e Policisë njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se bashkëpronari i një laboratori të zbuluar është personi i cili e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Urën e Bistricës në janar. Ai tha se “njëri nga të arrestuarit në këtë operacion është edhe vëllau i tij”.

Sveçla ka njoftuar më pas edhe për laboratorin e dytë të zbuluar, duke i përgëzuar policët.

“Edhe një laborator tjetër i zbuluar në veri të vendit, i dyti sot, si dhe edhe një kriminel prapa hekurave. Ju lumtë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”, shkroi ministri.


(Kosova Sot Online)