Ky është numri i aplikuesve për policë të rinj në veri

  • A.P /
  • 13 February 2023 - 20:10
Ky është numri i aplikuesve për policë të rinj në veri

Në konkursin e Policisë së Kosovës për punësimin e punëtorëve të rinj në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe, aplikuan rreth 140 pjesëtarë të komuniteteve joshumicë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Prej tyre, 136 i plotësojnë kushtet dhe do t’i nënshtrohen testit me shkrim, më 20 shkurt.

Këtë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë, Dejan Jankoviq, por pa saktësuar nëse në mesin e kandidatëve ka edhe pjesëtarë të komunitetit serb.

Çështja e pjesëmarrjes së serbëve në policinë në veri të Kosovës është aktuale qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur mbi 550 prej tyre kanë dhënë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe me targa të Kosovës.

Konkursi për pranimin e policëve të rinj u hap në fillim të janarit, ndërsa më pas u shty deri më 10 shkurt. Ndërkohë nisi edhe një fushatë “për rëndësinë e konkursit”, e cila u mbështet nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, të institucioneve ndërkombëtare dhe të ambasadave.


“Bashkojuni Policisë së Kosovës dhe kontribuoni në sigurinë e komunitetit tuaj. Përfitoni nga kjo mundësi, është në të mirë të komunitetit tuaj dhe juve”, ishte mesazhi i kreut të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Lars-Gunnar Wigemark, i publikuar në rrjetet sociale në kuadër të fushatës.

(Kosova Sot Online)